LAJMI I FUNDIT:

Petkoviq: Vuçiqi si Millosheviqi

Petkoviq: Vuçiqi si Millosheviqi

Ish-ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po i ndjek hapat e ish–Presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, pasi po tenton të krijojë kriza.

Këto deklarime Petkoviq i bëri duke komentuar ultimatumin e dhënë nga Lista Serbe sa i përket çështjes së krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.


”Mua nuk më pëlqen fjala ‘ultimatum’, sepse kjo i mbyll të gjitha mundësitë e marrëveshjes”, tha Petkoviq, në Info Magazine të Klan Kosovës.

“U raportua që para tri ditësh Thaçi, Veseli dhe Haradinaj e kishin nisur hartimin e draftit për Asociacionin. Lista Serbe paraqet ekskluzivisht regjimin e Beogradit, jo serbët e Kosovës”.

”Serbët nuk do ta formojnë Asociacionin, por atë do ta formojë Lista Serbe. Aleksandar Vuçiq po tenton të bëjë atë që ka bërë Millosheviqi – të krijojë kriza e më pas t’i falen meritat”.

”Më e keqja është se as serbët as shqiptarët nuk dinë se çka po bisedohet. Unë nuk jam ithtar i Asociacionit së komunave serbe”, tha Pektkoviq.

”Nuk do të lejojmë që një njeri të vendos për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Të jem i sinqertë: për serbët është mirë që Lista Serbe ka dalë nga Qeveria e Kosovës”.

”Ne jemi lodhur me këto tensione, sepse pas 20 vjetësh do të duhej të komunikohej. Me ardhjen e Listës Serbe çdo gjë është rrënuar. Nuk ka komunikim normal. Ka ultimatume, që nuk e di kujt i konvenojnë. Pse ndodh kjo?”.

”Pse s’mund të ulemi rreth tryezës dhe të bisedojmë?.  Jemi në shekullin 21, kemi ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Kërkohet siguri dhe zhvillim i qëndrueshëm ekonomik i të gjitha komuniteteve”.

”Vetëm një person i çmendur mund të mendojë se komuniteti serb në Kosovë mund të përparojë duke mos e marrë parasysh popullin shqiptar”, tha Petkoviq.