Ka përfunduar debati parlamentar i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për personat me nevoja të veçanta.
Ani pse gjatë tërë ditës kanë diskutuar, të zgjedhurit e popullit nuk kanë mundur të votojnë në fund rezolutën e iniciuesit të debatit, deputetit Fetah Rudi. Pasi, vetëm tridhjetë deputetë kanë qenë në sallë, kjo ka pamundësuar të hidhet në votim në seancën e sotme.
Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci bëri të ditur se e njëjta do të hidhet në votim nesër, pas seancës së jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
“Në mungesë të kuorumit për votim nesër pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshëm menjëherë do të hidhet për votim edhe kjo projekt-rezolutë”, tha ajo./KP/