Site icon Telegrafi

Për ca ambasadorë të dalë kohe

Besnik Mustafaj

Siç është njoftuar nga mediat, 23 ish-ambasadorë grekë, pjesëtarë të “Ciklit diplomatik”, i kanë shkruar së fundmi kryeministrit të vendit të tyre një letër jo të zakonshme. Nuk munda të gjej në internet se ç’është ky “Cikli diplomatik”, por mendja ma merr se duhet të jetë një lloj klubi, ku mblidhen ish-ambasadorët dhe ish-diplomatët e tjerë të lartë grekë për të rrahur mendime rreth zhvillimeve kombëtare e ndërkombëtare, parë gjithnjë në pikëpamjen e dinamikës diplomatike. Të tilla klube ekzistojnë prej shekujsh në të gjitha vendet serioze demokratike dhe janë shumë të dobishme për vendin. Nëpërmjet tyre përvoja e pasur dhe ekspertiza e diplomatëve në pension vazhdon t’u shërbejë interesave kombëtare. Ky duhet të ketë qenë paraprakisht edhe qëllimi i krijimit të “Ciklit diplomatik” në Athinë.

Letra në fjalë është paraqitur përmbledhtazi në mediat tona. Por, aq sa dimë mbi përmbajtjen e saj mjafton për të shprehur urimin që kryeministri Samaras ta hedhë atë në koshin e plehrave. Dhe, është një urim shumë i sinqertë dhe krejt i përzemërt nga ana ime si mik i Greqisë. Këshillat që këta burra të thinjur në shërbim të shtetit i japin kryetarit të qeverisë së tyre, janë në frymë e në germë kundër interesave strategjike të Greqisë. Rrjedhimisht, edhe kundër interesave imediate dhe afatgjata të të gjitha vendeve të rajonit.

Letra duket të ketë formën e një elaborati, me anën e të cilit kërkohet që shteti grek të ndryshojë në thelb gjuhën e veprimit të vet diplomatik me fqinjët, nga një gjuhë dialogu dhe bashkëpunimi në emër të interesave të përbashkëta, në një gjuhë shantazhi. Shtetin e tyre ata duan ta shohin mirëfilli në një pozitë rivaliteti me fqinjët, e posaçërisht me Shqipërinë. Kjo gjuhë arkaike, e ndryshkur, por edhe e frikshme pikërisht për shkak të ndryshkut që mbart, nuk pritet të dëgjohet në vitin 2013, sidomos nga ish-diplomatët e lartë.

Interesat e Greqisë me fqinjët e vet janë të përbashkëta me interesat e Bashkimit Evropian me vendet e Evropës Juglindore. Me përvojën e një jetë të tërë, diplomatët e nderuar duhet ta dinë kaq gjë shumë më mirë se të tjerët. Bashkimi Evropian u bë ky që është sot në sajë të filozofisë së tij për t’i përfshirë edhe interesat dypalëshe midis vendeve evropiane në suazën e përpjekjes së përbashkët për paqe, mirëkuptim dhe begati ekonomike të mbarë kontinentit. Kombi grek bashkë me institucionet e tij e ka pranuar dhe legjitimuar këtë filozofi tridhjetë e ca vjet më parë, kur e lidhi të ardhmen e vet me këtë familje të mrekullueshme kombesh. Nëse jo të gjithë, me siguri që shumica e këtyre ish-ambasadorëve kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar në atë periudhë që ky horizont i ri të çelej për vendin e tyre.

Qoftë edhe ky fakt e bën akoma më të çuditshëm elaboratin e tyre sot. Siç e pranojnë edhe në tekst, shkas për të ndërmarrë një nismë të tillë bëhet afrimi i datës kur Greqia do të marrë kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian. Me pak përfytyrim, lexuesi i letrës së tyre arrin në përfundimin se ata e mendojnë këtë rast si marrja nga ana e Greqisë e komandës së një çete komitësh, të cilën do të mund ta përdorë për të përmbushur nënshtrimin e fqinjëve duke i vënë ata në pozita inferioriteti. Tjetër gjë pret Bashkimi Evropian nga Presidenca greke, shkëlqesi ambasadorë!

Në elaboratin e tyre, këta ish-ambasadorë paraqiten të dalë kohe jo vetëm me nxitjen që i bëjnë qeverisë së tyre për të marrë një rol që vetëm do ta përkeqësonte imazhin mjaft të dëmtuar që ka vendi i tyre brenda Bashkimit Evropian, por edhe me argumentet që i japin kryeministrit Samaras. Janë argumente të nxjerra nga fondi i shpëlarë nacionalist grek i shekullit të kaluar, argumente folklorike e pa mbështetje historike. Si të tillë, këto pseudoargumente ushqejnë vetëm ndjenja përçmimi ndaj tjetrit. Nisur nga aktualiteti grek, këto argumente gjenden në kriticizmin që Agimi i Artë i bën në vazhdimësi klasës qeverisëse greke. Njohja e pjesshme që kam lidhur me përmbajtjen e letrës më lejon të ndalem vetëm në çfarë thuhet për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sipas tyre, Shqipëria është një shtet i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, duke lënë kështu qartazi të nënkuptohet se është një shtet i sajuar nga të tjerët. Vështirë të besohet se këta burra të ndriçuar, midis të cilëve edhe një ish-ambasador në Tiranë, nuk e dinë se shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e vendit të tyre shumë muaj para se Fuqitë e Mëdha të mblidheshin në Londër për ta legjitimuar këtë fakt, gjithsesi të pakthyeshëm. Përkitazi me çështjen çame, ata përmendin Marrëveshjen e Lozanës, ku parashikohet vërtet një shkëmbim popullsish midis Greqisë dhe Turqisë. Por, çamët kanë qenë dhe janë etnikisht shqiptarë. Rrjedhimisht, ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë Marrëveshje. Popullsitë që do të shkëmbeheshin ishin respektivisht greke dhe turke, nisur nga logjika se turqit brenda Greqisë ishin të mbetur qysh nga periudha e pushtimit osman si pjesë e administratës pushtuese dhe se grekët gjendeshin në Turqi në sajë të bashkëjetesës në një hapësirë të përbashkët shtetërore, që ishte Perandoria Osmane. Por, çamët ishin në trojet e tyre stërgjyshore. Masakrimi dhe përzënia e tyre drejt Shqipërisë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore është një fakt historik.

Nuk është vendi këtu për debate sa i vërtetë është bashkëpunimi i çamëve me pushtuesit italianë e gjermanë, të cilët ishin njëherësh edhe pushtues të Shqipërisë. Por, vlen të kujtohet se “holokausti” apo “gjenocidi” janë terma juridikë, me të cilët përcaktohet përpjekja për asgjësimin kolektiv të një komuniteti për shkak të përkatësisë të tij fetare ose etnike. Kolektivisht u persekutuan çamët, siç dihet botërisht. Ndërkohë, bashkëpunimi me pushtuesin, edhe në Greqi, si kudo në botë, ishte individuale dhe, nëse zbatohej drejtësia, individualisht duheshin gjykuar e ndëshkuar të gjitha ata shtetas që mund të kenë bashkëpunuar me italianët apo gjermanët nazifashistë, qofshin me përkatësi etnike greke apo shqiptare.

Ish-ambasadorët i tërheqin vëmendjen kryeministrit Samaras pse ndihma e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka qenë “pa asnjë shkëmbim si dhe mbështetja për integrim në BE në të njëjtën mënyrë, duke lënë të ngrirë çështjen vorio-epirote”. As më shumë e as më pak, por këta ambasadorë i kërkojnë kryetarit të shtetit t’ia shesë Shqipërisë mbështetjen e vet për në BE, ndërkohë që Bashkimi Evropian i kërkon, me të drejtë Shqipërisë, krejt tjetër gjë, pa asnjë lidhje me pazare “më jep – të të jap”. Çfarë përshtypje mund t’i lërë, bie fjala, një diplomati gjerman kjo këshillë e kolegëve të tij grekë?

Pa u zgjatur më tej, sigurisht që një ndërmarrje e tillë si kjo e ish-ambasadorëve në fjalë, do të meritonte një nënqeshje me keqardhje pse këta burra, dikur të respektuar në funksionet e tyre të larta, e kanë lejuar veten të mbeten kaq jashtë kohe. Por në rajonin tonë nuk ndodh kështu. Vendi që i kanë dhënë këtij elaborati mediat greke dhe pastaj mediat e të gjitha vendeve fqinje të Greqisë, shpreh një realitet ku djajtë e së kaluarës janë ende gjallë. Për shembull, Antonio Miloshevski, ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë dhe tashmë deputet, nuk vonoi fare të thoshte se Greqia dëshiron që Maqedonia të ndahet midis Shqipërisë dhe Bullgarisë”. Miloshevski sjell madje edhe një deklaratë të vetë Samarasit në vitin 2009, sipas të cilit “Greqia duhet ta bllokojë Maqedoninë derisa vendi të bjerë edhe të ndahet midis Shqipërisë së Madhe dhe Bullgarisë së Madhe”.

Unë nuk e di sa e vërtetë është kjo deklaratë që i atribuohet në këtë rast kryeministrit Samaras. Por, di që ideja greke për ndarjen e Maqedonisë është të paktën njëzetvjeçare dhe lidhet me kryeministrin e asaj kohe, Micotaqis. Ky shembull tregon sa lehtë mund të zgjohen ende djajtë në këtë hapësirë të vogël edhe kur pluhurin ua shkundin ca pensionistë, të cilët ndoshta nuk janë më në gjendje ta kuptojnë sa rëndësi ka edhe për Greqinë paqja dhe mirëkuptimi me fqinjët.

(Marrë nga: Panorama)
 

Exit mobile version