LAJMI I FUNDIT:

Pensionistët “pezullojnë” ankesën për Gjykatën e Strasburgut

Pensionistët “pezullojnë” ankesën për Gjykatën e Strasburgut

Pensionistëve të Kosovës u janë shuar shpresat për të bërë ankesë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në mënyrë që të detyrohet Serbia t’ua kthejë pensionet. Para ca kohësh Gjykata e Strasburgut kishe vendosur në të mirë të tre pensionistëve duke e detyruar Serbinë që t’ua paguajë atyre gjithë kontributin, madje ishte detyruar që t’u paguajë edhe dëmshpërblim shpirtëror për shkak të vonimit të pensionove.

Ky vendim i gjykatës pati shtyrë shoqatën e pensionistëve të Kosovës që të marrë vendim për lëshimin e aplikacioneve nëpërmjet të cilëve pensionistët e Kosovës do ta paditnin Serbinë për moskthimin e pensioneve.

Pensionistët kanë qenë të obliguar që për çdo aplikacion të paguajnë nga dy euro si lloj anëtarësimi në këtë shoqatë. Vetëm në Sindikatën e pensionistëve të Prishtinës, për një javë kanë aplikuar mbi 1 500 persona. Mirëpo, i gjithë ky mund u ka shkuar huq pensionistëve, shkruan Tribuna.


Një vendim i nxjerrë nga qeveria e Serbisë më 22 shkurt, parasheh që secili pensionist t’i plotësojë kërkesat dhe dokumentacionin jo nga organet e Qeverisë së Kosovës, por nga organet e Serbisë. Ky vendim ka shtyrë Sindikatën e pensionistëve të Kosovës që mos të lëshojë asnjë aplikacion për ta paditur Serbinë në Gjykatën e Strasburgut, për shkak të ndryshimit të dokumentacionit.

Përfaqësues të kësaj sindikate kanë vlerësuar se kushti i vënë nga qeveria serbe, është i papërballueshëm për pensionistët e Kosovës. Sipas tyre, me këto procedura as 2 për qind e pensionistëve nuk mund ta realozojnë të drejtën për kthimin e pensioneve.
Riza Shala, kryetar i Sindikatës së pensionistëve të Prishtinës dhe përfaqësues i Sindikatës së pensionistëve të Kosovës, ka thënë për gazetën se vendimi i Gjykatës së Strasburgut i cili e detyroi Serbinë që t’ia kthejë pensionet tre qytetarëve të cilët e kishin paditur atë, ka shtyrë këtë sindikatë që të kërkojë kompletimin e dokumentacionit nga pensionistët, në mënyrë individuale dhe nëpërmjet avokatit t’u drejtohen kësaj gjykate që ta detyrojë Serbinë t’ua kthejë pensionet.

Mirëpo, sipas tij, pranimi i aplikacionit është ndërprerë pas vendimit të fundit të qeverisë serbe për ndryshimin e dokumenteve për aplikim. /Telegrafi/