Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi ka dënuar aktin dhe ka sqaruar se kandidati për deputet Mëhill Fufi dhe i afërmi i tij po bënin apel që të mos bliheshin vota, transmeton BalkanWeb.


vorspi

"Politikanët e nekro politikës vrapuan të nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Laçit, një akt i pastër terrorist ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, Mëhill Fufi. Politikanët e nekro politikës harruan të shprehin ngushëllime publike për familjen e viktimës dhe të përmendin plagosjen e kandidatit të PD dhe të afërmit të tij nga persona, mbështetës dhe përkrahës të PS dhe aleatëve të saj, disa prej të cilëve shkuan nga Tirana për motive të paqarta. Këta persona, thirrjes të kandidatit tonë, largohuni dhe mos ndani lekë këtu i janë përgjigjur me armë, duke plagosur kandidatin e PD dhe të afërmin e tij, Kastriot Fufi”, tha ajo.

“Partia Demokratike dënon çdo akt dhune, fton qytetarët të votojnë të qetë, të marrin pjesë të gjithë në këto votime që janë të një rëndësie jetike për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë kandidatit për deputet Mëhill Fufit dhe të afërmit të tij, Kastriot Fufi. Partia Demokratike dënon me ashpërsi cinizmin, papërgjegjshmërinë dhe thirrjen për dhunë të çiftit Rama –Meta, që të etur për pushtet shpallin se janë të gatshëm me çdo mjet të përmbysin qeverinë demokratike", deklaroi Vorpsi.

Partia Demokratike thekson se do të respektohet vota e lirë e shqiptarëve, çdo çmim dhe se çdo mjet tjetër, përveç votës së lirë, për të marrë pushtetin, ka vetëm një përgjigje ligjore: ‘dështimin e plotë dhe total të aventurës dhe aventurierëve të saj’. /Telegrafi/

-------------------------------------------------------------------

Autorët e ngjarjes në Laç do të vihen para drejtësisë (Foto – video)

 Në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur sot në Laç ka reaguar edhe kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla. Sipas tij, autorët e ngjarjes në Laç do të vihen para drejtësisë. 

I pyetur nga gazetarët në përfundim të votimit të tij, Llalla bëri të ditur se prokurorët janë në krye të punës dhe me kapacitet të plotë, ndërsa pohoi se është në dijeni të vrasjes së ndodhur në Laç, ku simpatizanti i LSI-së, Gjin Gjoni humbi jetën, ndërsa mbetën të plagosur kandidati i Partisë Demokratike dhe dy të plagosur, kandidati i PD-së, Mëhill Fufi dhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi.

“Prokuror të specializuar dhe nga më të mirët janë nisur drejt Laçit për të realizuar hetim të plotë e të thellë mbi ngjarjen. Do të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur autorët e ngjarjes në fjalë, për të bërë transparente në një kohë sa më të shpejtë edhe shkaqet e saj. Dua të garantoj se Prokuroria është në gadishmëri të plotë për të realizuar konform ligjit detyrën e saj”, përfundoi Llalla.

vrasja lac

Policia e Laçit bën me dije se ka shoqëruar 7 persona si dëshmitarë për ngjarjen e rëndë të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i vrarë një simpatizant i LSI dhe u plagosën 3 të tjerë, njëri prej tyre kandidat i PD-së në Laç. 

Sipas policisë, këta persona do të pyeten në lidhje me rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/

---------------------------------------------------

Nishani dhe Berisha apelojnë për qetësi, e majta akuzon (Foto-video)

Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Sali Berisha, kanë ftuar shqiptarët që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi duke dalur masivisht në votime. Ndërsa, as presidenti as kryeministri nuk kanë komentuar incidentin në Laç, liderët e së majtës, Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë dënuar aktin duke e bërë përgjegjës Berishën.  

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka votuar në orën 10.00 qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Çajupi” , shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë.

Për presidentin e vendit, kjo është një dite tërësisht e qytetarëve.

“Ftoj shqiptarët të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile duke votuar masivisht, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore, duke respektuar rendin në gjithë vendin e qendrat e votimit” tha Nishani.

Ai ne mënyrë të veçantë ka uruar ata që votojnë për herë të parë, duke thënë se ata në familje kane një votues për herë të parë, djalin.

“U them, paçin dorën e mbarë për fatet e vendit”, tha Nishani.

Ai ka uruar që të mos shënohen incidente. “U bëj apel qytetarëve dhe u kujtoj që partitë dhe ideologjitë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është një. Qetësi, maturi, ne votojmë për parti të ndryshme por jemi të gjithë një, shqiptarë”, tha ai

Kryeministri Sali Berisha ishte i pari ndër politikanët shqiptarë që votoi në këtë ditë zgjedhjesh. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, Kryeministri ftoi të gjithë votuesit që të marrin pjesë në proces, ndërsa siguroi se vota e çdo qytetari do të respektohet plotësisht.

"Ftoj të gjithë shqiptarët që të votojnë sepse këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë. Uroj ata që votojnë për herë të parë, si dhe falënderoj emigrantët që kanë ardhur në Atdhe për të ushtruar këtë të drejtë", tha Berisha.

Kryeministri bëri thirrje për çdo anëtar partie, çdo simpatizant dhe mbështetës që ta shndërrojnë këtë ditë në një ditë feste dhe mirëkuptimi.

Këtë mesazh Berisha e dha, në një kohë kur në Laç është regjistruar një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një përkrahësi të LSI dhe plagosjen e një kandidati të Partisë Demokratike.

"Ende nuk kam marrë informacionin e duhur për këtë incident, por do të bëj një prononcim tjetër pasi të marr informacionin e plotë", tha Berisha.

 Dy liderët e së majtës, Rama dhe Meta kanë dënuar ngjarjen e rëndë në Laç. Ata bëjnë përgjegjës kryeministrin Berisha, i cili, siç thonë ata ka qenë të paralajmëruar. Rama dhe Meta u shprehen se nuk do të lejojnë që këto akte kriminale të manipulojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Dje në mesnatë Unë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam takuar disa mbështetës të LSI, të cilët ishin sulmuar nga banditë të PD-së. Po ashtu kam takuar drejtorin e Policisë së Lezhës dhe drejtorin e Policisë së Përgjithshme, Burgaj dhe kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet nga aktet e dhunshme, por të marrë masat për mos derdhje gjaku. Policia është vënë në funksion të qeverisë në funksion të manipulimit të zgjedhjeve”.

“Sali Berisha duhet ta dijë mirë këtë histori, me bandit e me gjak nuk qëndron dot në pushtet, ne jemi këtu për të shmangur incidentet. Sali Berisha nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Ai nuk do të qëndrojë në pushtet me gjak. Nuk i mbron dot banditët e tij. Ne kemi marrë të gjitha masat që në të gjithë Shqipërinë të votohet”, tha Meta në Laç.

Ndërsa, Edi Rama ka thënë se  drejtori i Policisë duhet të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe ta ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe zgjedhjeve.

“Është një domosdoshmëri, sepse e kemi hasur këto orët e fundit një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me pjesën tjetër të vendit për ndryshim. Fatkeqësish ka pasur humbje jete të pafajshme. Por edhe tani që po flasim, policia nuk është ende në krye të detyrës dhe forca kriminale me mbështetjen e policisë së shtetit, janë hedhur në një operacion në orët e para të mëngjesit”.

“Megjithatë, ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje  pasi nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve dhe jemi të vendosur e të organizuar kudo për të mbrojtur çdo votë.

Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të larguar nga kutitë qytetarë, për të diktuar një vullnet që është minoritar dhe nuk mund t’i kundërvihet vullnetit të popullit shqiptar. E pra, edhe njëherë: Qetësi, pjesëmarrje, durim edhe në radhë të gjata. Kudo nëpër Shqipëri kemi informacion se ka derdhje të njerëzve, edhe këtu në Laç, edhe këtu në zonën e Kurbinit ne do të garantojmë votën e popullit. Ju lutem qytetarëve të dalin familjarisht në votim se nuk ka forcë që të ndalë votën e tyre”, tha Rama në Laç.  /Telegrafi/

------------------------------------------------------------------

Shqipëri, nisin keq votimet, një i vrarë e tre të plagosur (Foto dhe video)

Rreth orës 9 sot ka ndodhur një incident i rëndë në një qendër votimi në qytetin e Laçit. Ndërsa raportohet se ka pasur të shtëna armësh në një qendër votimi, ku dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur një person dhe tre të tjerë janë plagosur. 

Në lidhje me incidentin e rëndë në Laç, ka dalë në një konferencë për shtyp edhe policia e Lezhës. Drejtori i policisë Arben Hajdarmata bën me dije se në këtë ngjarje viktima është simpatizanti i LSI-së Gjon Pjetër Gjoni dhe një ndër të plagosurit është kandidati i PD-së, Mëhill Fufi.

viktima e zgjedhjeve

I plagosur ka mbetur edhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi.

Po sipas policisë, në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të kalibrit të ndryshëm dhe një armë zjarri. Ende nuk ka asnjë të dyshuar, por hetimet vijojnë të jenë intensive.

Policia bën me dije se incidenti ka ndodhur pranë ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefen Gjeçovi’, ndërsa viktima i vrarë është Gjon Gjoni, simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Po sipas të njëjtave burime mësohet se në këtë qendër votimi ka pasur konfrontime fizike me mjete të forta, mes viktimës Gjioni dhe disa personave të tjerë, ndërsa më pas një prej tyre ka shtënë me armë. Bëhet me dije se simpatizanti i LSI-së kishte shkuar për të votuar.

Ndërkaq hetimet kanë nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Drejt Laçit janë nisur edhe forcat RENEA. /Telegrafi/

----------------------------------------------------------

Shqipëria voton

Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur sot që në orën 7:00, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, në Tiranë, aty ku edhe ka votuar. 

Pritet që rreth 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës të ushtrojnë të drejtën për të votuar, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik, transmeton BalkanWeb.

Nga këta për herë të parë votojnë 165 mijë zgjedhës të rinj të grupmoshave 18, 19 dhe 20 vjeç . Po ashtu drejt kutive, në të gjithë Shqipërinë do të shkojnë edhe 560 mijë pensioniste nga të cilët 750 zgjedhës konfirmon Ministria e Brendshme nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe se të cilët nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile. Por ndryshe nga këta, 380 persona të moshës 100-vjeçare të tjerë, të cilëve u ishin bllokuar emrat për shkak të moshës me kërkesë të posacme rifituan të drejtën e votës.

Në orën 7:00 të kësaj të diele hapën 5508 qendra votimi, të cilat, pritet të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 të dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli.

Subjektet politike janë grupuar në dy koalicione, "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.

Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, ku pritet të votojnë 785 mijë persona kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë.

Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.

Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve printoi në Slloveni rreth 3 milion e 337mijë e 385 fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2 pwr qind më shumë se numri i zgjedhësve. Kryetarja e këtij komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë. Kosto e këtyre zgjedhjeve është llogaritur nga KQZ rreth 744 milionë lekë. Kësaj vlere iu shtuan dhe rreth 3 milionë euro të tjera që cilat i janë paguar kompanisë spanjolle Indra pavarësisht se dy projektet pilote për numërimin elektronik në Fier dhe identifikimit elektronik të kartave të identitetit në Tiranë dështuan.

Menjëherë pas votimit kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi i bëri apel të gjithë shqiptarëve t’i drejtohen qendrave të votimit, pasi vota e tyre vlen, siç tha ajo.

“I ftoj shqiptarët të paraqiten të votojnë pasi është përgatitur e gjithë infrastruktura zgjedhore që të votojnë të lirë dhe në fshehtësi. Motoja jonë është: Vota jote vlen, votoni”, tha ajo.

Një apel tjetër kryetarja Lleshi e bëri për të gjithë komisionerët zgjedhorë, të cilët i ftoi të bëjnë detyrën duke iu përmbajtur kodit zgjedhor.

“Komisionerët të kryejnë detyrën sipas kodit zgjedhor, të jenë jashtë ndikimeve politike”,tha ajo. /Telegrafi/