LAJMI I FUNDIT:

Pasojat e coronavirusit në Kosovë, bizneset joformale në krizë

Pasojat e coronavirusit në Kosovë, bizneset joformale në krizë
-->

Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për bizneset joformale, pasi që si të tilla nuk do të marrin asnjë ndihmë nga pakot emergjente fiskale të shtetit.

Këto biznese, ndonëse aktivitetin e tyre e zhvillojnë në mënyrë joformale duke i ikur obligimeve tatimore, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë në Kosovë.

D.M (emër i njohur për redaksinë), pronar i një biznesi në fushën e gastronomisë, po përballet më vështirësi të rimëkëmbjes së biznesit së tij pas dëmeve që i shkaktuan masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Ne jemi biznes joformal dhe askush nuk është interesuar se si po mbijeton ky njeri. Punëtorët e mi janë lajmëruar si të papunë nëpër komuna dhe nuk kanë marrë asgjë. Më 1 qershor kemi rifilluar me punë, askush nga komuna nuk ka ardhur të na pyes se si e kaluam këtë situatë dhe a keni nevojë për përkrahje”, thotë ai.

Sipas raporteve të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, ekonomia joformale në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Rifillimi i punës, thotë pronari i këtij biznesi, nisi me shumë vështirësi, pasi që për afër tre muaj që nuk kishin punuar ishin dëmtuar financiarisht.

Pa mbështetje financiare, vazhdimi i aktivitetit të tij në fushën e gastronomisë, thotë ai, do të jetë sfidë për të.

“Është qetë nuk ka shumë punë, njerëzit nuk kanë para , janë më të kujdesshëm, kanë frikë, për 50 për qind është më dobët sesa para pandemisë. Unë e krahasoj këtë muaj qershor me muajin e njëjtë të vitit të kaluar dhe shihet se ka shumë pak punë. Unë kam filluar më atë staf që kam pasur. nuk kam bërë largim të punëtorëve. po shpresojmë që tani që po hyjmë në sezon të verës vjen diaspora dhe hapet puna, por brenga ime është që mos po na mbyllin prapë”, thotë ai.

Ai nuk ka bërë ndonjë aplikim për ndihmë tek autoritetet lokale apo qendrore, pasi që është i informuar se këto biznese nuk do të përfitojnë ndihmë financiare nga shteti.

Murtezaj: Nuk ka asnjë ndihmë nga shteti për bizneset joformale

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, pati thënë se asnjë biznes joformal nuk do të përfitojë nga Pakoja Emergjente e as nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Asnjë biznes dhe asnjë i punësuar joformal nuk mund të përfitojë nga pakot emergjente apo edhe pakot tjera të ekonomisë për shkak se nuk ka as bazë juridike të përfitojë”, pati thënë Murtezaj, duke shtuar se biznesi joformal ka dy anë: nëse një biznes joformal falimenton atëherë shuhen vende pune, por nëse është në treg krijon konkurrencë të pabarabartë.

Raporti i fundit i Bankës Botërore për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku hyn edhe Kosova, pati vë në pah se janë këto biznese apo aktivitete joformale që do të jenë më të cenueshme nga kriza ekonomike financiare, që do të shkaktojë pandemia COVID-19, por edhe është më vështirë të mbështeten nëpërmjet masave konvencionale.

Sipas raportit të Bankës Botërore, mbështetje plotësuese e përshtatur enkas me kontekstin vendor mund të jetë e nevojshme për të ndihmuar të gjitha grupet e cenuara në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ekonomia joformale goditi ekonominë ligjore

Edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se këto biznese kanë krijuar konkurrencë të pabarabartë në treg, por tani do të jenë ato të cilat do të goditen më së shumti nga kriza, pasi që nuk do të mund të marrin ndihmën që do të ofrohet nga shteti apo edhe nga mekanizmat tjerë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka pati thënë se pandemia do të ndikojë që një numër i madh i ndërmarrjeve që i takojnë ekonomisë joformale, të jenë të goditura nga kriza.

“Rrjedhimisht edhe roli i shtetit dhe atyre që do të ndihmojnë në këtë aspekt është i kufizuar pasi që do të nënkuptohej si mbështetje për ata që për vite me radhë kanë operuar në kundërshtim me dispozitat ligjore”, ka deklaruar Zeka.

Ekonomia joformale, si nga problemet më të mëdha në ekonominë e Kosovës, ishte theksuar edhe në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit Evropian, e cila përcakton përparimin që bëjnë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian./rel/Telegrafi/