Fotografon, por shumë mirë qëndron edhe me popullaritetin. Është ky artisti Norik Uka, ndërsa fotografia është skena, shkëlqimi dhe diçka për të cilën vazhdimisht e shijon në këtë rrugëtim shumë të ngjyrtë dhe ndjesor

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Çfarë shohin sytë e Norikut pos fotografive dhe për çfarë mendon koka e tij, do t’ju tregojë ai vetë…

Thuhet se fotografia nuk dashurohet, fotografia ndjehet. Si e keni zbuluar këtë talent në veten tuaj, atë syrin prej artisti në momentin kur ‘shkrepja’ juaj filloi të marrë jetë?

Është shumë e vërtetë që fotografia ndjehet dhe jo që ndjehet, por brenda vetës e din shumë mirë që ke një talent që duhet ta tregosh te bota, mirëpo për ta treguar atë, duhesh mësuar teknikën që qëndron brenda punës. Normalisht që kur mësohet teknika e ke shumë më të lehtë, kërkohet një punë e gjatë për të mësuar të gjitha teknikat e punës dhe të shprehësh atë që e ndjen me sy.

Keni studiuar Menaxhimi të Biznesit dhe Politika Publike, por në gjithë këtë tregim “serioz”, si është përfshirë fotografia si profesion mjaft ndryshe dhe shumë cilësor?

Menaxhmentin e kam studiuar më shumë për hatër të asaj që të jem i gatshëm të përballem me jetën e përditshme që e kemi në Kosovë, ndërkohë në kohën e lirë kam punuar shumë me marketing, publikime dhe dizajne grafike, do të thotë gjysma e ditës ka qenë në një farë forme në botën serioze profesionale dhe në botën kreative. Ndaj, është shumë lehtë gërshetimi që, sot siç e dimë, gjithçka ka të bëjë me kreativitetin. Çdo biznes i madh ka nevojë për kreativitet për të pasur sukses. Sot jam një prej fotografëve më të suksesshëm si rezultat i bazës në biznes që kam pas paraprakisht.

Si do ta përshkruani konceptin tuaj personal, cila është qasja juaj ndaj punës, çfarë i përcakton prioritetet tuaja?

Prioriteti im më i madh është klienti; puna ime gjithmonë bazohet në kërkesën e tij. Zakonisht klienti e din çka do, mirëpo përpiqem t’i ndihmojë, që ta nxjerrë më të mirën; punojmë bashkë duke u munduar të ruajmë origjinalitetin e kërkesës dhe njëkohësisht duke u munduar të nxjerrim më të bukurën.

Shumica e fotografëve do të thonë që nuk është çdo fotografi – e mirë. Çfarë do të thotë për ty fotografi e mirë?

Fotografia është energji, energjinë e japim prej shpirtit. Gjithçka që del prej shpirtit është e bukur dhe, nëse është punuar me shpirt, gjithsesi do të dalë bukur, pra nuk diskutohet.

Sa shkathtësi, mund dhe punë është e nevojshme për një fotografi të përsosur dhe si e di që ajo është “e suksesshme”?

Ndonjëherë nevojiten javë të tëra të punohet, ndonjëherë një moment ose çast. Siç e ceka edhe më herët, fotografia është diçka që vjen ose buron prej shpirti, andaj kur rezultati është i jashtëzakonshëm, mundi nuk llogaritet dhe nuk vlen. Kur puna dhe rezultati janë në nivelin e lartë, vërehet në fotografi dhe në reagim të rrethit/njerëzve.

Pas objektivit të fotoaparatit mund të gjenden të gjithë, vetëm që është e nevojshme të vërehet detaji dhe të gjendet momenti i duhur. Si e ‘nxjerr’ më të mirën nga ata?

Ashtu si një piktor kur e merr brushën dhe në një fletë të bardhë krijon diçka ose si një arkitekt që brenda një hapësirë të zbrazët krijon diçka të bukur, ashtu edhe fotografi e ka një synim se çka do të nxjerrë përpara. Syri i krijuesit është më i veçantë dhe si i tillë i ndihmon aparatit që të prezantojë atë fotografi që e sheh. Që një fotografi të jetë e nivelit të duhur duhet shumë punë, përkushtim, praktikë dhe dashuri mbi të gjitha. Këto katër elemente na sjellin përpara një rezultat të jashtëzakonshëm që të bën të dallosh nga të tjerët.

Si e shikon veten? Si fotograf komercial, studiues apo artistik?

Veten e shoh si fotograf komercial – artistik. Këto dy stile janë gërshetuar shumë mirë me botën digjitale momentalisht, gjë e cila i mundëson artistit të jetë i gjithanshëm.

A e bën këtë punë ndonjëherë nga interesi apo ekskluzivisht nga dashuria?

Kur quajmë diçka komerciale, atëherë është e paevitueshme që të flitet për interes, patjetër që për të mbijetuar sot në Kosovë me kushtet aktuale, duhet edhe me u paguar dhe shkon paralelisht, mirëpo nëse nuk e do atë që e bën, nuk mundesh me nxjerrë rezultat pozitiv e aq më pak fitim.

A ke ndonjë model? Punën e cilit fotograf posaçërisht e vlerëson dhe përse?

Në të kaluarën, para 15 viteve e kisha të preferuar fotografen Jill Greenberg, e cila me punën e saj të jashtëzakonshme më ka mahnit, sidomos puna e saj me fëmijët dhe kafshët, prandaj gjithmonë jam mundur të krijojë gjëra që me e kuptuar si po e realizon atë punë fantastike. Kam lexuar shumë për të dhe pasi e kam kuptova në një mënyrë stilin e saj, fillova të krijojë stilin tim unik.

Shumica janë të sigurt që duken më mirë se në fotografi. Si të fotografohemi, por të mos e urrejmë veten?

Ndoshta për disa vlen kjo, mirëpo tek unë – jo. Kam dëgjuar shumë komente që thonë që i zbukuroj njerëzit shumë me photoshop, mirëpo unë prapë e ritheksoj që, një individ i ka së paku tri poza të bukura, kështu jam mjeshtër që e nxjerr në pah minimum njërën pozë.

Ajo që e dallon fotografinë e vogëlushëve nga llojet e tjera të fotografive është që kërkon gjendje specifike të mendjes dhe shkathtësi specifike. Si reagojnë ata? Sa është kjo e mundimshme?

Me fëmijët duhet me pas lojë edhe duhet kuptuar bota e tyre. Më e keqja ose më e vështira është që prindërit kërkojnë nga fëmijët të bëjnë gjeste te personave të rritur. Në anën tjetër, fëmijët e kanë botën e vet origjinale, andaj po vazhdoj me cek sërish që, duhet me nxjerrë vetëm origjinalitetin e tyre. Punoj me shumë fëmijë e ndër ta e kam një vajzë me të cilën që punoj shumë. Ajo quhet Ana, është e jashtëzakonshme, shumë origjinale dhe e kuptueshme.

Cila është ëndrra më e madhe juaja kur është fjala për fotografinë? A ka ndonjë person të cilin posaçërisht do të dëshirosh ta fotografosh?

Ëndrra ime është që fotografia ime të njihet në botë dhe që emri im të bëhet sinonim botëror, e gjithë kjo arrihet vetëm më punë të pandalshme dhe duke krijuar gjëra të jashtëzakonshme.

Kjo pyetje është klishe, mirëpo tani për tani e pashmangshme, çfarë ndodh kur mungon inspirimi? Dhe, vërtet a mungon?

Secili njeri ka momente kur nuk ndjehet mirë, mirëpo është fat i madh që këto momente janë sidomos në fazën kur nuk kemi shumë punë. Mendoj që Universi i ndihmon punëtorët e mëdhenj edhe paraprakisht e din kur nuk kanë më qenë mirë dhe ju ndihmon.

Në këtë treg të vërshuar me konkurrencë, a mundet e ardhmja të sjellë ngopje të tregut fotografëve?

Nuk do të ketë ngopje të tregut për fotograf, sepse fotografia si e tillë po rritet çdo ditë e më shumë si rezultat i rritjes së madh të medieve sociale. Mediet sociale po ndihmojnë fotografët të jenë prezentë me punën e tyre. Sot, jetën që bëjmë dhe veprat që krijojmë, duhet patjetër të prezantohen dhe jetësohen vetëm përmes fotografisë. Ndoshta do të ketë ngopje të disa stileve të fotografisë, mirëpo edhe për atë pjesë do të ketë përmirësime.

Sa çmohet fotografia tek ne dhe cila është porosia juaj për të gjitha ata që e varin aparatin në krah?

Fotografia tek ne nuk çmohet ende sa duhet, ka ende shumë punë për të arritur kulmin e asaj. Një pjesë e madhe e njerëzve, mendojnë që duhet punuar pa para dhe fotografia është luks që mundesh me e pas pa pagesë. Një pjesë e madhe e estradës mendojnë që për shkak që i kemi fotografuar bukur, duhet me i fotografuar pa para me arsyetimin që janë duke na promovuar; mendoj që një gjë e tillë duhet me u ndalë. Është njësoj sikurse ata të këndojnë në një klub të madh botëror pa pagesë. Të gjithë duhet të kuptojnë që një fotograf i çfarëdo moshe, duhet të paguhet dhe t’i shpërblehet puna. /Telegrafi/

/Telegrafi/