Një grua e cila akuzohej se ishte e përfshirë në komplotin për vrasjen e ish-bashkëshortit të saj, ka humbur vetëdijen në momentin kur u shpall fajtor dhe iu lexuan pikat e akuzës që rëndonin mbi të.
Diana Lovejoy 45-vjeçe, është shpallur fajtore për konspiracion për të kryer vrasje gjatë shtatorit të vitit të kaluar ndaj ish-bashkëshortit Greg Mulvihill në Carlsbad të Kalifornisë, transmeton Telegrafi.
Televizioni Fox 5 ishte prezent në gjykatë ku Lovejoy mbeti e shokuar kur mësoi verdiktin, dhe disa sekonda më vonë humbi vetëdijen. Ajo menjëherë u dërgua me autoambulancë në spital.
Edhe instruktori i armëve Weldon McDavid Jr, gjithashtu është shpallur fajtor si bashkëpjesëmarrës në tentim vrasje të ish-bashkëshortit të Lovejoy.
Mulvihill dhe Lovejoy ishin ndarë në korrik të vitit 2014, dhe kishin nisur një betejë ligjore për kujdestarinë e djalit të tyre. Përgjatë kësaj periudhe, ajo vazhdimisht e akuzonte ish-bashkëshortin që kinse kishte abuzuar seksualisht me djalin e tyre.
Por betejës së tyre i erdhi fundi kur gjykata vendosi që kujdestarinë ta ndajë 50-50, ndërkaq Lovejoy ishte pajtuar që t’ia paguaj Mulvihill 120 mijë dollarë vetëm disa javë para se të qëllohej si kompensim për shpifjet.
Mulvihill ishte plagosur gjatë natës së 1 shtatorit, kur pranoi një telefonatë anonime nga një person që pretendonte se ishte një detektiv privat, i cili i kërkoi të takohet pasi kishte informacione për ish-bashkëshorten.
Dhe kur Mulvihill shkoi në një shkretëtirë së bashku me një koleg, ai u qëllua nga McDavid.
Instruktori i armëve i cili kishte dëshmuar më herët ka pranuar se kishte trajnuar Lovejoy të përdorë armët e zjarrit, dhe kishte tendencë ta vrasë ish-partnerin e saj i cili për fat të mirë i mbijetoi plagëve.
Tani Lovejoy pritet të dënohet me 25 vite burgim, derisa McDavid 50. /Telegrafi/