Për Çekovskin, ambientimi te Sigal Prishtina ka qenë shumë i lehtë. Ai në verë të këtij viti firmosi kontratë njëvjeçare me fituesen e Ligës Ballkanike.
Kjo nuk është hera e parë për basketbollistin nga Maqedonia që luan në Kosovë. 35-vjeçari ka qenë pjesë e basketbollit kosovar edhe para 11 vjetësh, shkruan sot “Koha Ditore”. Në edicionin 2003/04, Çekovski për herë të parë ka “shijuar” basketbollin kosovar dhe kjo me fanellën e Prishtinës.
Atëbotë, Çekovski me klubin bardhekaltër pati fituar vetëm kupën e të ashtuquajturës si Ligë Profesionale e Basketbollit të Kosovës (LPBK), e cila mblidhte skuadrat elitare të revoltuara me Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Tash Çekovski thotë se është kthyer për të fituar titullin e kampionit të Kosovës, gjë që, sipas tij, është e arritshme për shkak se Sigal Prishtina mund të dominojë plotësisht në kampionatin vendor.