Site icon Telegrafi

Partia Demokratike publikon emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar

Partia Demokratike ka shpallur këtë të dielë listën fituese të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Në listë vihet re se nuk është shpallur fituese Edith Harxhi, e cila ishte një prej kandidateve për kryetare të PD, dhe Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.

Por, pjesë e listës janë emra të njohur si Aldo Bumçi, Agim Baçi, Andi Lila, Asllan Dogjani, Jemin Gjana, Glauk Olldashi, Ahmet Prençi, Robert Budina dhe gazetarja Orjela Nebiaj, e cila nuk mundi që të futej në parlament. 

Në listë janë edhe deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike, drejtuesi aktual Lulzim Basha, anëtarët aktualë të kryesisë së partisë si dhe ish- kryeministri Sali Berisha, ish-krerët e PD-së Tritan Shehu, Eduart Selami dhe ish-presidenti Bujar Nishani.

300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së u zgjodhën nga delegatët e Kuvendit Kombëtar, në një proces që u zhvillua dje në Pallatin e Kongreseve.

Po kështu, 300 anëtarët do të zgjedhin edhe drejtuesin e ri që do të zëvendësojë Bujar Nishanin, si dhe ekipin e ngushtë të Lulzim Bashës për 4 vitet e ardhshme.

Sipas Statutit, nga 300 emra që janë publikuar sot, minimalisht 90 duhet të jenë gra dhe vajza dhe 45 të tjerë anëtarë të forumit rinor të PD-së.

Ditën e djeshme, u miratuan gjithashtu edhe 11 propozimet e Lulzim Bashës, pa asnjë ndryshim nga Kuvendi Kombëtar./Euronews Albania

Exit mobile version