LAJMI I FUNDIT:

Paratë e Trustit, sa më larg Kosovës!

Paratë e Trustit, sa më larg Kosovës!

Kosova ende nuk është e sigurt për të investuar paratë e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ndërkohë që edhe infrastruktura ligjore nuk e lejon një gjë të tillë. Edhe pse Bordi i Trustit është duke shprehur gatishmëri që të sjellë ato para në Kosovë, është e pamundur dhe si rezultat ato edhe më tej do të jenë të pranishme në tregjet e huaja financiare. Ndërkohë që ekspertët ekonomikë vlerësojnë japin si ide që ato mjete të vijnë në bankat komerciale vendore me një marrëveshje paraprake për kthim të mirë të investimeve.

Arsyeja pse është investuar më shumë në tregjet financiare ndërkombëtare sipas kryetarit të Bordit të Trustit, Ymer Havolli, është që ka kthim më të madh të mjeteve. “Më shumë para janë investuar në aksione dhe letra me vlerë në tregjet ndërkombëtare financiare pasi që kthimi është më i sigurt dhe më i madh”, ka thënë Havolli.

Po ashtu, sipas tij, është edhe Ligji mbi Fondet Pensionale, i cili e kufizon investimin e mjeteve në një entitet më tepër se 5 për qind, ndërsa në letra me vlerë, sipas tij, e kufizon më tepër se 10 për qind.

“Vetëm letra me vlerë të Qeverisë mund të blejmë në Kosovë dhe atë jo në mënyrë të drejtpërdrejtë por si blerës sekondarë, banka komerciale i blenë ato letra sepse nuk kemi të drejtë”, ka thënë Havolli, duke shtuar se aktualisht i kanë afro 14 milionë bona të Qeverisë të blerë, ndërsa në tenderin tjetër thotë se do të interesohen për të blerë prapë, shkruan “Zëri”.

Sipas Havollit, ata kanë shprehur interesim maksimal për të investuar në Kosovë, mirëpo kaq iu lejon ligji.

“Duhet pas parasysh se vetëm një instrument i tregut financiar është i zhvilluar në Kosovë, letrat me vlerë dhe për sa kemi pasur ne hapësirë maksimalisht kemi qenë të interesuar për të blerë letra me vlerë në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se interesimi i tyre është që mjetet që janë të grumbulluara nga kontributdhënësit të investohen në të mirë të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ndërsa, sa i përket investimit në bankat komerciale në Kosovë, Havolli thotë se kanë shpallur disa herë tenderë për të ofruar mjete për investim, mirëpo bankat nuk kanë shfaqur shumë interesim për këto mjete. “Nuk e di pse nuk kanë shfaqur interesim, kjo është çështje e bankave, por sigurisht kanë pasur likuiditet të tepruar”, ka thënë ai.

Se Kosova është vend i pasigurt për investim të mjeteve të Trustit, e thonë edhe ekspertët ekonomikë.

Eksperti Avdullah Hoti ka thënë se Trusti meqë nuk mund t’i ketë të sigurta kthimin e investimeve në Kosovë, atëherë është i detyruar që të investojë në tregjet financiare ndërkombëtare. “Ata objektiv kryesor kanë që mjetet me qenë të sigurta për kontribut dhënësit duke i siguruar normë të kthimit të pranueshme që është minimale, por që mjetet janë të sigurta”, ka thënë Hoti.

Eksperti ekonomik Haki Shatri ka thënë se do të ishte mirë që të arrihet një marrëveshje mes bankave vendore dhe Trustit që këto mjete të plasohen në Kosovë, pasi që do të ishte interes i dyanshëm. “Janë disa probleme që Trusti nuk guxon të investojë në bankat, të cilat nuk e kanë shkallën e sigurisë të paktë. Bankat vendore përveç bankave të huaja nuk e kanë atë shkallë të sigurisë së kapitalit, prandaj ka hezitim”, ka thënë Shatri. Në këtë drejtim mund të ndihmojë, sipas Shatrit Banka Qendrore e Kosovës.

“Duhet të ishte një politikë e caktuar monetare kreditore e orientuar nga Banka Qendrore, do t’ia vlente sikur të kishin bërë ndonjë program për nxitjen e zhvillimit të ndonjë sektori të caktuar, po ashtu të imponohet një politikë kreditore me kamata më të ulëta për biznese që është me prioritet për vendin dhe në këtë mënyrë me i stimuluar bankat që të japin kredi me kamata ma të ulëta”, ka thënë Shatri, duke shtuar se kjo bëhet vetëm nëse akordohen politikat monetare kreditore dhe institucionet vendore. /Telegrafi/