LAJMI I FUNDIT:

Papunësia godet të rinjtë

Papunësia godet të rinjtë
Foto: Ilustrim

Në Shqipëri vetëm 40 për qind e të rinjve kanë gjetur veten në tregun e punës. Ministri i Mirëqenies Sociale Erijon Veliaj iu referua statistikave të INSTAT, sipas të cilit vetëm në 6 muajt e parë të 2013, numri i të rinjve të papunë u rrit 8 për qind.

Veliaj tha se arsyeja e shifrave alarmante të papunësisë tek të rinjtë është mungesa e kualifikimit. "Sot kemi zyrtarisht në Shqipëri 60 për qind të të rinjve të papunë, sipas INSTAT. Kemi bërë disa premtime për të trajnuar të gjithë punëkërkuesit nën moshën 25 vjeç brenda 6 muajve të parë dhe do të kërkojmë që të gjitha qendrat tona të formimit profesional, të fillojnë me mbajtjen e këtij premtimi publik", tha Veliaj.

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj thotë se tregu ekonomik shqiptar mbetet ende i varfër dhe ekonomia po vuan pasojat e krizës. "Fatkeqësisht akoma nuk ka një krah të fortë eksporti në ekonominë e vet, atëherë çfarë mbetet? Kapaciteti njerëzor në të gjitha nivelet, por sidomos në nivelin profesional të shkëlqejë dhe sot e vërteta është që nuk shkëlqen akoma. Ne do të duam edukim profesional, në mënyrë që edukimi dhe rezultantja e edukimit të jetë në lidhje me tregun e punës, përndryshe kemi dështuar", tha Ahmetaj.


Planifikimi i buxhetit për zbatimin e strategjisë së punësimit 2014-2020, sipas zëvendëskryeministrit Niko Peleshi është bërë në përputhje me nevojat e tregut dhe suksesi i zbatimit të saj lidhet me mirëmenaxhimin e fondeve për politikat e punësimit. "Përthithja e fondeve të donatorëve e veçanërisht të fondeve të BE, si mbështetje sociale për buxhetin e shtetit do të jetë e një rëndësie parësore. Koordinimi i donatorëve do të ndiqet një qasje sektoriale, për financimin e sektorëve. Kjo qasje nënkupton një strategji të buxhetuar dhe me një kuadër monitorimi për sektorin", tha Peleshi.

Në seminarin për prezantimin e strategjisë 5-vjeçare të politikave të punësimit në Shqipëri merrte pjesë dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, si dhe grupe të interesit. /Telegrafi/