Pallati i nëmur

Objekti u nis për një qëllim të mirë. Aty prej vitit që vjen do të transferohen të gjitha institucionet që punojnë për drejtësi.
Prandaj edhe është quajtur Pallati i Drejtësisë. Po, ka diçka që nuk shkon me këtë objekt. Prej se ka nis ndërtimi i tij, kanë ndodhur shumë të papritura. Sikur të ishte i nëmur, ky objekt njëherë u kaplua nga zjarri e së fundi mori edhe një jetë punëtori, shkruan “Express”.
Për ta dëshmuar këtë, mbrëmjen e së dielës aty ndodhi një tragjedi. 60 vjeçari Asllan Tahiri nga qyteti i Prizrenit gjeti vdekjen derisa po punonte në ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë. Ai është rrëzuar nga skelet që ishin në katin e katërt, gjatë kohës sa ishte duke punuar, derisa vdekjen e tij menjëherë e ka konstatuar policia dhe mjekët që dolën në vendin e ngjarjes.
Akoma nuk dihen rrethanat se si ky punëtor ra nga skelet, megjithatë për vdekjen e tij policia ka arrestuar tre persona, dy bullgarë dhe një shqiptar të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për “Express” Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë rajonale të Prishtinës.
“Arrestimi i dy shtetasve bullgarë dhe një kosovari ka ndodhur të shtunën në mbrëmje për shkak të rrezikimit të sigurisë në punë. Që të tre janë menaxherë në kompaninë që po kryen ndërtimin e objektit”, ka thënë Ahmeti për “Express”.
Se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në momentet kur viktima ra nga skelet për të gjetur vdekjen e menjëhershme, Ahmeti thotë se do të kuptohet pas raportit përfundimtar të cilin do ta bëjë mjekësia ligjore. Kjo pasi, sipas saj, trupi i pajetë i viktimës ende ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Atëherë do të sqarohet gjithçka. Krejt çfarë mund të them aktualisht për këtë rast është se prokurori publik ka urdhëruar që rasti të hapet si vdekje e dyshimtë dhe rrezikim i sigurisë në punë”, ka thënë ajo.
“Aktualit policia është duke e hetuar rastin”.
E ky nuk është rasti i vetëm. Që prej qershorit të vitit të kaluar kur kanë nisur punimet, objektin e Pallatit të Drejtësisë e ka karakterizuar edhe një e zezë tjetër. Në korrik të këtij viti ky objekt që ndodhet në “Hajvali” u përfshi nga flakët. Fillimisht nuk dihet se nga erdhi zjarri, por pas hetimeve policia vërtetoi që zjarrvënia nuk ishte e qëllimshme. U sqarua se një punëtor aty ka ndezur disa paketa për t’u ngrohur dhe si pasojë objekti u përfshi nga flakët.
Sidoqoftë, vakitë që i bënë këtij pallati brenda vetëm një viti nuk e ndalojnë punën. Pallati i Drejtësisë shpejt pritet t’i hapë dyert për akomodimin e të gjitha institucioneve gjyqësore në një vend të vetëm. Fillimisht u tha se punimet do të përfundojnë verën e vitit 2013 e më pas kjo datë u shty deri në janarin e një viti më pas, atij 2014. Hapësira e përgjithshme e planifikuar e Pallatit të Drejtësisë është rreth 50 mijë metra katrorë me parkim nëntokësor për mbi 200 vetura. Pritet që rreth 625 punëtorë të angazhohen në kompleksin e ardhshëm të drejtësisë, i cili ndodhet rreth kilometrit të katërt prej qendrës së Prishtinës.
Aty do të vendosen Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme, Gjykata Ekonomike, Gjykata e Lartë për Kundërvajtje, Gjykata e Qarkut e Prishtinës, Gjykata Komunale e Prishtinës, Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Prishtinës, Prokuroria Speciale, Prokuroria e Shtetit, Prokuroria e Qarkut e Prishtinës dhe Prokuroria Komunale e Prishtinës. /Telegrafi/


































