Site icon Telegrafi

Pacolli-Dalipi: Kemi ftuar në protestë edhe deputetët e partive tjera që duan ç’kapje të drejtësisë (Video)

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi, ka thënë se presin që protestës t’i bashkohen edhe shoqëria civile dhe deputetët e partive tjera.

Pacolli-Dalipi në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se “kemi një Prokuror të Shtetit që nuk po ndërhynë për të dënuar rastet e korrupsionit”.

“Korrupsioni asnjëherë nuk ka qenë më transparentë se tani. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë përhapur aq shumë në Kosovë saqë tashmë edhe në raportet ndërkombëtare, në raportet e BE-së dhe në rezultat e Parlamentit Evropian Kosova dokumentohet si shtet i kapur”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se “ne kemi parë të gjitha ato që po ndodhin ndërsa kryeprokurori Aleksander Lumezi po hesht”.

“Pra jemi nesër [e premte] në protestë kundër Lumnezit në mënyrë që të vëmë rregull në këtë shtet dhe të protestojmë kundër një sistemi të drejtësisë që është kapur nga partitë politike, Presidenti, Kryeministri etj”.

Pacolli-Dalipi ka thënë se presin që protestën ta mbështesin edhe shoqëria civile, pasi sipas saj “kjo është një protestë për Kosovën e jo për partitë politike”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Ajo ka thënë se protesta do të fillojë 5 minuta para orës 12:00 në rrugën “Luan Haradinaj” ku gjenden edhe zyrat e Prokurorisë së Shtetit.

“Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e protestës, po ashtu edhe deputetët e anëtarët e partive tjera që janë për një sistem të drejtësisë të pa korruptuar dhe të ç ‘kapur nga Presidenti dhe Kryeministri”.

Deputetja opozitare ka thënë se protesta do të zhvillohet vetëm para Prokurorisë dhe nuk do të shpërndahet në qytet./Telegrafi/

Exit mobile version