Qasja e Suedisë ndaj coronavirusit, pa mbyllje, masa epidemiologjike dhe rekomandime të mjekëve, e ka ndarë opinionin në dy tabore. Derisa disa e përshëndesin si një qasje të mirë, të tjerët janë për qasje më të ashpër ndaj COVID-19, nga i cili në botë kanë humbur jetën tre milionë njerëz.

Në mars të vitit të kaluar, nxënësi i një shkolle të mesme në Stokholm për shkak të kokëdhembjes përfundoi në ambulanten e shkollës – përkatësisht infermieres Angelike Jularbo. Një muaj më vonë para ardhjes së tij, coronavirusi filloi të përhapet nëpër Evropë, transmeton Telegrafi.

Derisa Jularbo po bënte çmos t’ia maste temperaturën, nxënësi i tha se partneri i tij është diagnostifikuar me coronavirus. Jularbo menjëherë e dërgoi në shtëpi. Katër ditë më vonë, u zgjua me temperaturë dhe kokëdhembje.

“E kuptoj pse njerëzit që vërtetë janë të sëmurë, apo që vuajnë nga dhimbjet e mëdha, thonë se duan të vdesin”, ka thënë Jularbo për New Yorker.

Ajo ka theksuar se si në atë kohë ishte e lodhur dhe prej ditësh nuk kishte dalë nga dhoma. Pas nëntë ditëve u rikthye në punë sepse nuk kishte temperaturë gjatë dy ditëve të fundit, por kokëdhembja dhe temperatura iu rikthyen një javë më vonë.

Për dallim nga vendet e tjera të botës që u mbyllën dhe aplikuan masat e ndryshme të kufizimit, në Suedi pak a shumë gjithçka ka qenë e hapur.

Njerëzve u është propozuar të zvogëlojnë udhëtimet dhe të punojnë nga shtëpia, por gjithçka mbeti në nivel rekomandimi. Maska ka qenë “shfaqje” e rrallë. Shoqërimi nuk ka qenë i ndaluar sikurse edhe ahengjet.

Një përgjigje e tillë ndaj pandemisë u ideua nga epidemiologu suedez Anders Tegnel.

Në vitin 1995, Tegnel ka punuar në Republikën Demokratike të Kongos kur asokohe ishte epidemia e Ebolës, e përmes Bashkimit Evropian dhe agjencisë së tij ECDC, ka shërbyer edhe si këshilltar për sëmundje ngjitëse. Në agjencinë suedeze për shëndetin publik punon që nga vitit 2013.

Kushtetua suedeze u jep agjencive shtetërore liri të madhe të vendimmarrjes, dhe kufizon qeverinë kur bëhet fjalë për vendosjen e kufizimeve. Tegnel ka thënë vazhdimisht gjatë pandemisë se mbylljet nuk janë të bazuara shkencërisht dhe se provat për efektivitetin e maskave mbrojtëse janë të “dobëta”.

Qëndrimet e tij, siç shkruan NewYorker, nuk përshtaten në konsensusin global shkencor, por ato bazohen shkencërisht. Tegnel pretendon se shumë shtete do të vepronin njëjtë sikurse Suedia, nëse ekipet përgjegjëse kundër pandemisë do të përbëheshin nga shkencëtarë – e jo politikanë.

Derisa pjesa më e madhe e botës përqeshnin dhe kundërshtonin metodat e tij, në Suedi u rrit dukshëm popullariteti i tij pasi që njerëzit e konsideronin si person shumë të arsyeshëm, racional dhe një shkencëtar të qetë.

Gazetarja e NewYorker e njoftoi Jularbon përmes një grupi në Facebook, që janë përkrahës të flaktë të Anders Tegnelit.

“Do të dëshiroja që vendimet sa i përket shëndetit t’i marrin shkencëtarët e ekspertët, e jo ata që për çështje medicinale dhe shëndetësore nuk dinë asgjë”, ka thënë Jularbo që kishte simptoma të theksuara të COVID-19.

Jularbo që tani ndihmon në spital ata që kanë fituar betejën kundër COVID-19, por që akoma kanë ankesa si pasojë e infeksionit, thotë se kur e dëgjon alarmin ajo më me dëshirë do t’i kërkonte dikujt ta qëllonte.

“Nuk më intereson nëse fëmijët do të arrijnë në kohë në shkollë. Nuk më bën kjo gjë fare përshtypje”, ka shtuar ajo.

Ajo gjithsesi është krenare se si agjencia suedeze për shëndet publik ka reaguar ndaj pandemisë.

“Kanë qenë të mirë. Nuk kanë vrapuar përreth duke dëgjuar se çfarë po bëjnë tjerët”, ka shtuar ajo.

Autorja e tekstit në NewYorker, shpjegon se bashkëshorti i saj është suedez dhe se në ditët e para të pandemisë, kanë biseduar me familjarët në kontinentin e vjetër, që për ta kanë qenë një lloj pasqyre për një jetë normale.

Kur i sugjeruan vjehrrit të saj të bartë maskë, ai me mirësjellje refuzoi – duke shpjeguar se ka biseduar me pulmologun e tij, që i ka thënë se nuk ka arsye të bartë maskë nëse nuk dëshiron që të tjerët të largohen nga ai nga frika e sëmundjes.

“Personi i shëndoshë në Suedi nuk mund të bartë maskë. Njerëzit do të trajtonin si të çuditshëm”, i është përgjigjur gazetares vjehrri.

Në anën tjetër, agjencia suedeze për shëndet publik, ka bërë të ditur se efikasiteti i maskës është vënë në pikëpyetje pasi që njerëzit shpesh nuk e vendosin si duhet dhe nuk e respektojnë distancën sociale fizike.

Në mars të vitit 2020, Tegnel prezantoi planin suedez në luftën kundër pandemisë që ka nënkuptuar një qasje pragmatike, një koncept suedez i arsyes së shëndoshë.

Asnjë epidemiolog nuk konsideronte se vetizolimi është një zgjidhje afatgjate, kurse mbylljen e kanë konsideruar si zgjidhje e përkohshme për “blerje të kohës”.

Derisa shumica e vendeve të botës kanë zgjatur afatin e masave të mbylljes, Tegnel këtë qasje e ka konsideruar të paqëndrueshme si dhe idenë e mbajtjes së maskave.

E kur çdo herë e më shumë njerëz nëpër botë filluan ta shohin Suedinë, janë shfaqur edhe ekspertë që parashikonin se përqindja e vdekshmërisë në këtë vendo do të jetë më e lartë.

Edhe pse nuk hoqi dorë nga plani i tij, Tegnel për NewYorker ka thënë se rastet e vdekjeve që janë rritur, por që nuk janë edhe aq afër përqindjeve të parashikuara – gjithsesi e kanë goditur rëndë.

Pavarësisht se shumë e përkrahin si një ekspert të kuptueshëm, ka prej atyre që nuk janë të kënaqur me strategjinë e Tegnelit.

Tara Tvana që punon në komunën e Stokholmit, është e zhgënjyer me strategjinë e Suedisë dhe konsideron që 12 mijë njerëz kanë vdekur herët për shkak të një qasje të tillë.

Ajo për NewYorker tha se konsideron që qeveria do të duhej të aplikonte masa më të ashpra.

“Puna e politikanëve është të mbledhin informacione dhe të mbrojë shoqërinë. Në vend të kësaj, Anders Tegnel ka qenë kryeministri jonë”, ka shtuar ajo.

Me rritjen e rasteve të reja me COVID-19 gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, besimi në ekspertë filloi të bie. Në dhjetor është emëruar një komision i pavarur që është dashur të hetoj përgjigjen e Suedisë ndaj pandemisë, dhe nga cilat pasoja kanë humbur jetën mbi 13 mijë suedez.

Fredrik Elg, virolog dhe njëri prej kolegëve të Tegnelit, konsideron se Suedia është dashur të aplikoj masa më të ashpra sikurse fqinjët e saj, dhe kështu do të ulej numri i vdekjeve në shtëpitë e pleqve, që e përbëjnë afro gjysmën e të gjitha viktimave të coronavirusit në këtë vend.

Për këtë pajtohen edhe përkrahësit dhe kundërshtarët e Tegnelit. Madje edhe mbreti suedez ka kritikuar strategjinë për mbrojtjen e të moshuarve.

Patrick Hoovelin, profesor i sociologjisë në Universitetin UCLA në SHBA, thotë se Suedia ndoshta më së keqi e ka kaluar nga të gjitha vendet skandinave, por që nuk është vendi që më së rëndi është goditur nga pandemia në Evropë.

“Situata në Itali, Spanjë, Britani të Madhe, Belgjikë është shumë më e rëndë”, thotë ai.

E Tegnel këto shifra i përmend sa herë që i vie rasti të mbrojë strategjinë suedeze. Ai konsideron që Suedia duhet të krahasohet me Evropën e jo me fqinjët e saj, me Norvegjinë dhe Finlandën.

Sociologu amerikan madje konsideron që Suedia do të duhej të krahasohej me fqinjët e saj, pasi që pasqyrat demografike i kanë të ngjashme.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Spanjë është më i ulët sesa që shumë e kanë paraparë, kurse një sërë ekspertësh thonë se bëhet fjalë për një “mister epidemiologjik”. /Telegrafi/