Në kuadër të vizitës së tij të punës në Ukrainë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i shoqëruar nga përfaqësues të Qeverisë ukrainase, vizitoi qytetin Irpin, në periferi të Kievit, vend i veprimeve intensive ushtarake që nga fillimi i invazionit, njoftojnë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.

“Ajo që pashë në Irpin edhe një herë më bindi se sa i drejtë është qëndrimi ynë për ta dënuar këtë agresion ushtarak. Janë gjetur trupa të shumë civilëve, ndërsa mbi 70% e ndërtesave janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht, përfshirë spitalet dhe institucionet arsimore”, tha Osmani.

Osmani shtoi se agresioni i pashembullt dhe i paprovokuar paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, sulm ndaj vendit sovran dhe përpjekje serioze që të shkatërrohen themelet e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

“Vizita në Ukrainë, është akt i mbështetjes dhe solidaritetit, teksa këto skena dhe imazhe janë dëshmi e politikës së paarsyeshme dhe destruktive e cila qëndron mbrapa saj”, theksoi Osmani./Telegrafi/