Site icon Telegrafi

Osmani: Kërkojmë miratimin e rezolutës për dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka paraqitur temat të cilat do të diskutohen në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Ajo ka theksuar se pas përfundimit të këtij debati pret miratimin e rezolutës për dorëheqjen e kësaj Qeverie.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës pas debatit parlamentar në seancën e jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe VV-së, nxjerr këtë rezolutë me një pikë të vetme: MMe qëllim të ndërprerjes së çdo përpjekje që konteston shtetësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të cilat duhet ta konsolidojnë dhe ta forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike”, shkruan Telegrafi.

Osmani ka thënë se dhjetë vjet pas pavarësisë, bartësit e politikës së jashtme kanë arritur që përmes hapjes së temës për çështjen e kufijve, të rrezikojnë zhvillimin e vendit.

“Në këtë aventurë të rrezikshme, presidenti i vendit vazhdon me idenë ruso-serbe për çështjen e kufijve, dhe duke parë që nuk po gjen përkrahje nga partitë politike në vend, presidenti e ka gjetur një aleat, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se si temë e dytë të cilën do ta trajtojnë gjatë kësaj seance, është vënia në diskutim i orientimit strategjik të Kosovës

“Presidenti i rrezikshëm i vendit tonë po rrezikon miqësitë e kamotshme të Kosovës me aleatët ndërkombëtar. Kur kërkohet të mos nënshkruaj asgjë pa bekimin e Gjermanisë, ai mburret se përkundër mos bekimit të Gjermanisë e ka atë të Rusisë”, ka thënë Osmani.

Osmani shtoi se temë tjetër është edhe çështja e njohjeve, duke theksuar se Kosova gjatë këtij viti ka shënuar vetëm një njohje dhe asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare

Deputetja e LDK-së po ashtu theksoi se temë tjetër është edhe çështja e izolimit në politikën e jashtme, duke shtuar se Kosova është e izoluar politikisht dhe në aspektin dipliomatik. /Telegrafi/

Exit mobile version