LAJMI I FUNDIT:

Opozita bojkoton takimin e thirrur nga Veseli, për dialogun

Opozita bojkoton takimin e thirrur nga Veseli, për dialogun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thirrur në takim sot të gjithë liderët e partive politike, për siç është thënë, të diskutuar rreth fazës së ardhshme të dialogut me Serbinë.

Menjëherë pas këtij takimi, në të cilin nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të opozitës, Veseli ka thënë se takimi i sotëm kishte të bënte me arritjen e një konsensusi rreth procesit të ardhshëm të Kosovës, atë të fazës së fundit të dialogut me Serbinë.


“Tradita e konsensusit të brendshëm dhe partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare ka qenë një traditë e mirë dhe shumë e suksesshme. Dhe rezultatet tanimë janë historike, çlirimi i Kosovës më 1999 dhe shpallja e pavarësisë”, ka thënë Veseli, i cili gjithashtu ka konfirmuar se opozita nuk ka qenë e pranishme.

“Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës, përkatësisht liderët politikë të koalicionit qeveritar dhe përfaqësuesit e Grupit 6+”.

Sipas tij, Kosova, përkatësisht institucionet e saj kanë nevojë të akomodimit të një qëndrimi rreth kësaj çështje.

“Të ulësh (në tavolinë) me Serbinë sot nuk është privilegj, është sakrificë politike. Mesazhi që do të duhej ta dërgonim do të duhej të ishte mesazh i unitetit”, ka thënë ndër tjerash Veseli.