Gjermania dhe Franca i janë bashkangjitur shqetësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me operacionin e sotëm në veri të vendit, ku u mbyllën pesë institucione paralele serbe.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë njoftimi (për operacionin) nuk është konsultim dhe se Gjermania i bashkohet Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në shprehjen e shqetësimeve dhe zhgënjimit për veprimet e pakoordinuara.
”Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam të heqim masat dhe të ecim përpara në lidhje me integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës”, ka thënë Rohde, në një postim në “X”, transmeton Telegrafi.
Ai ka shtuar se “nuk duhet të shkaktojmë kriza pa nevojë”.
Notification isn’t consultation.
🇩🇪 joins @USEmbPristina in expressing concerns and disappointment over uncoordinated actions.
This must change.
We want to lift measures and move on regarding 🇽🇰’s regional and European integration.
No more unnecessary crisis mode. https://t.co/jnjjZMzWFw— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 30, 2024
Edhe ambasadori francez, Olivier Guerot, ka reaguar duke thënë se veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme.
“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pa dallim te pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ambasadori Francez, në platformën “X”, transmeton Telegrafi.
Actions that have a detrimental and indiscriminate impact on members of a community, in this case members of the Serb community, are not welcome. Unilateralism doesn’t bring lasting solutions https://t.co/pXDG5MZ3vO
— Ambassadeur Olivier Guerot (@Olivier_Guerot) August 30, 2024
Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se është e “shqetësuar dhe zhgënjyer” me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës të cilat pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit të premten.
Policia e Kosovës mbylli sot pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, për të cilat u tha se vepronin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Ambasada amerikane tha se është e shqetësuar se vendime të tilla të Qeverisë kosovare “vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ” ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.
“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Ambasada amerikane tha se SHBA-ja dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë i kanë kërkuar vazhdimisht Qeverisë së Kosovës të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë “veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave pasqyron një rritje të përkeqësimit real të partneritetit tonë”, tha ajo.
Ambasada amerikane përsëriti se “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës i vënë në “rrezik më të madh” qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, si dhe “përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme” tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ajo e kritikoi Qeverinë se po e përdor Policinë për të kryer “veprime të pakoordinuara”.
“Përderisa Qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm Policisë së Kosovës nga Qeveria për të kryer veprime të pakoordinuara që nuk janë në përputhje zotimet e Kosovës për ‘vazhdimin e konsultimit dhe koordinimit me komunitetin ndërkombëtar’”, tha Ambasada amerikane.
Ambasada paralajmëroi se veprimet e Qeverisë se Kosovës do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit të SHBA-së me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe elementët vartës të saj.
Policia e Kosovës i ka mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës”, tha Krasniqi.
Ministri Krasniqi tregoi se institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit. /Telegrafi/