Prokuroria Themelore e Ferizajt në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Departamentin për Krime të Rënda, kanë realizuar sot bastisje në nëntë lokacione në kuadër të operacionit “Brezovica”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari në një konferencë për media, ka thënë se në kuadër të aksionit të nisur më datën 21 dhjetor 2021, sot në orët e hershme të mëngjesit janë bastisur nëntë lokacione në tri komuna, në Ferizaj, Shtërpcë dhe Prishtinë dhe disa zyre në Ministrinë e Mjedisit.
“Gjatë kësaj bastisje janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë për procedurën penale. Me vendim të prokurorit sot është ndaluar për 48 orë Bedri Halimi kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit nën dyshimin e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjithashtu është ndaluar edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku nën dyshimin e ka kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti””, tha Jashari.
Ai shtoi se gjithashtu është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht investitor i një lagjeje në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”. /Telegrafi/