LAJMI I FUNDIT:

OECD: Lufta në Ukrainë me ndikim më të madh në ekonominë botërore

OECD: Lufta në Ukrainë me ndikim më të madh në ekonominë botërore

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tha se lufta e Rusisë në Ukrainë – që tani ka hyrë në muajin e tetë – do të ketë ndikim më të madh në ekonominë botërore seç ishte parashikuar.

OECD-ja më 26 shtator uli parashikimin e rritjes globale në 2.2 për qind për vitin 2023 nga 2.8 për qind, siç kishte parashikuar më herët.


“Ekonomia botërore po paguan çmim të lartë për luftën e paprovokuar dhe joligjore të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha OECD në raportin e rregullt për parashikimet për ekonominë botërore.

“Me ndikimin e pandemisë COVID-19 që ende ka efekt, lufta po pengon rritjen dhe po shton presion ndaj çmimeve, veçmas atyre të ushqimit dhe energjisë. Bruto Prodhimi i Brendshëm në nivel botëror ka stagnuar në çerekun e dytë të vitit 2022 dhe është regjistruar rënie në ekonomitë e G20-s”, u shtua në raport.

Në raport u tha se inflacioni i lartë po vazhdon më shumë sesa pritej. Niveli i inflacionit në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte më i lartë që nga vitet ’80.

“Me treguesit e fundit, që janë përkeqësuar, perspektiva e ekonomisë globale është errësuar”, tha OECD.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. /REL/