LAJMI I FUNDIT:

Odat Ekonomike Amerikane të Evropës thërrasin për mbrojtje të ekonomive nga pandemia e COVID-19

Odat Ekonomike Amerikane të Evropës thërrasin për mbrojtje të ekonomive nga pandemia e COVID-19

Bota po përballet me një sfidë të jashtëzakonshme si rezultat i shpërthimit të COVID-19. Kjo pandemi paraqet një kërcënim të rëndë për shëndetin, mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë botërore me pasoja të dëmshme për të gjitha pjesët e shoqërisë.

Kështu thuhet në reagimin e Odave Ekonomike Amerikane në Evropë, e cila përfshinë 45 organizata.


“Odat Ekonomike Amerikane në Evropë mbështet plotësisht përpjekjet e qeverive për të trajtuar pandeminë dhe për të zbutur efektet e saj. Mobilizimi i burimeve ka qenë i paprecedentë, ndërsa nevojitet lidership i vazhdueshëm për të adresuar ndikimin e krizës në shoqëri. Odat Amerikane në Evropë u bëjnë thirrje qeverive të shteteve nikoqire që të përqendrohen në solidaritet, koordinim dhe veprim”, thuhet në njoftimin e tyre.

Odat kërkojnë koordinimin e qeverive për të forcuar aleancat për ta luftuar këtë pandemi.

“Duke qenë se të gjithë jemi bashkë në këtë luftë, ndarja e shtuar e burimeve dhe informatave edhe botërisht por edhe mes vendeve tona, është thelbësore për t’iu përgjigjur pandemisë me sukses. Tash është koha për t’i demonstruar vlerat solidare që ndahen në Evropë, përgjatë Atlantikut dhe pjesës tjetër të komunitetit botëror. Po ashtu, Qeveritë duhet të forcojnë koordinimin përtej kufijve dhe brenda aleancave për të siguruar një qasje konsistente dhe të harmonizuar karshi krizës, por edhe për të filluar vendosjen e themeleve të rimëkëmbjes ekonomike. Bashkëpunimi në nivel rajonal dhe global është thelbësor, meqë qeveritë bashkojnë nisma për të mbrojtur ekonomitë tona dhe rrjedhimisht edhe mirëqenien e qytetarëve”, vijon njoftimi.

Ne kemi nevojë për veprim të guximshëm për të siguruar qasjen në mallra dhe shërbime esenciale nga të cilat varemi të gjithë. Në veçanti, lëvizja e mallrave përtej kufijve duhet të jetë e papenguar. Mallrat aq shumë të nevojshme mbështeten në zinxhirët e integruar të furnizimit për prodhim para se të mund të shpërndahen tek individët dhe bizneset.

Në fund, rrjeti i Odave Ekonomike Amerikane po koordinohet me kolegët në tërë rajonin e Evropës dhe në botë për të prezantuar rekomandimet për një rimëkëmbje të fortë dhe të shëndetshme ekonomike për prosperitetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve tona. /Telegrafi/