LAJMI I FUNDIT:

Oda e Afarizmit kërkon të largohen masat kufizuese me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike

Oda e Afarizmit kërkon të largohen masat kufizuese me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike
-->

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) duke u bazuar në numrin e vogël të rasteve të lajmëruara me Covid-19 si dhe duke vlerësuar gjendjen e rëndë të bizneseve kërkon nga Institucionet e vendit që të gjitha masat kufizuese të cilat janë në fuqi aktualisht të largohen me qëllim të përkrahjes së bizneseve duke u respektuar masat mbrojtëse. 

Siç njoftohet, kjo kërkesë e OAK-së vie si rrjedhojë e gjendjes shumë të rendë me të cilën po përballet sektori privat si pasojë e pandemisë dhe përkrahjes së mangët që është ofruar deri më tani nga ana e institucioneve, duke rrezikuar kështu jo vetëm humbjen e vendeve të punës por edhe mirëqenien dhe operimin e mëtejshëm të operatorëve ekonomik dhe buxhetin e shtetit.

OAK thotë se është ithtare e faktit që të respektohet çdo masë në përpikmëri për mbrojtje të shëndetit publik.

Mirëpo, duke pasur parasysh se tashmë zyrtarisht fillojmë me sezonën e verës, ardhja e diasporës dhe turistëve në përgjithësi kushtëzohet nga masat kufizuese të cilat do të jenë në fuqi, andaj OAK kërkon largimin e tyre pasiqë një vendim i tillë do të ndikoj direkt në përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit.

“Sezona e verës dhe ardhja e mërgimtarëve është një mundësi përkrahjeje për bizneset e vendit dhe duke marrë për bazë zvogëlimin e paraqitjes së rasteve me Covid-19, OAK kërkon që sa më parë këto masa aktuale që janë në fuqi të largohen”, thuhet në njoftim.

OAK kërkon largimin e kufizimit të punës së bizneseve vetëm deri në orën 11:00, ndalimin e grumbullimit të më shumë se 10 persona pas orës 00:00, moslejimin e ahengjeve etj.

OAK konsideron që sektori privat aktualisht është shumë i rënduar si rezultat i pandemisë dhe nuk ka kapacitete që të përballoj i vetëm pasojat e mëtutjeshme shkaktuar nga pandemia, ku si rezultat i mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani.

“Andaj largimi i këtyre masave do të krijonte një mundësi për rimëkëmbje të biznesit dhe mbajtjes në punë të punëtorëve”, thuhet në fund.