Site icon Telegrafi

Numri i rasteve aktive me coronavirus 2,478, kërkohet të respektohen masat anti-COVID19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 18.345 raste nga 89.108 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 669 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.198 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.478.

Ndryshe, një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin me vendime për masa të reja për Kosovën dhe në veçanti për Prishtinën, për të parandaluar përhapjen e mëtejme të coronavirusit.

Zemaj pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Prishtina në dy javët e fundit ka qenë epiqendra e infeksionit.

“Dy javët e fundit, Prishtina ka qenë epiqendra e infeksionit në vendin tonë. Ky fakt shqetësues na detyron që shumë shpejtë të dalim me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, por, për Prishtinën në veçanti. Mbi 700 raste të reja me infeksion gjatë 14 ditëve të fundit, në kryeqytet, situatë kjo që kërkon mobilizim maksimal të të gjithëve për të zbatuar në përpikëri dhe me rigorozitet  vendimet e Qeverisë”, ka shkruar ministri.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk janë të interesuar që kryeqytetit të futet në karantinë, por që kjo varet nga qytetarët.

I pari i Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19, transmeton Telegrafi. /Telegrafi/

Exit mobile version