Site icon Telegrafi

Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, prokuroria ende pa aktakuzë ndaj të dyshuarve

Një vit pas vrasjes së Liridona Ademajt Prokuroria Themelore e Prishtinës thotë se janë ende në hetime dhe ende nuk ka të ngritur aktakuzë, të cilën e konsideron brenda afateve ligjore avokati Arbër Jashari, punë më të shpejt të institucioneve të drejtësisë, kërkon edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

Ishin orët e mbrëmjes, e ajo kthehej në shtëpi nga një darkë me burrin dhe fëmijët, por pak minuta para arritjes në shtëpi me një plumb u vra Liridona Ademaj.

Pikërisht këtë të premte janë bërë një vjet prej kur Liridona Ademaj u privua nga jeta këtu në fshatin Bërnicë e Epërme të Prishtinës. I dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së mbetet bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili u arrestua pak ditë pas vrasjes së saj, megjithatë Prokuroria Themelore e Prishtinës ende nuk ka ngritur aktakuzë qoftë ndaj Murselit ose ndaj personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast.

Në një përgjigje këtë të fundit thanë se ende janë në hetime.

“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se çështja penale të cilës i referoheni është akoma në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe pasi që hetimet lidhur me këtë çështje janë në vazhdim e sipër, nuk është e mundur të ofrohen më shumë informata lidhur me këtë rast”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lexo po ashtu Një vit nga vrasja tragjike e Liridona Ademajt, vëllai i saj: Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë

Por, brenda afateve ligjore po konsiderohet të jetë ende prokuroria.

“Sipas kodit të procedurës penale afati i hetimeve zgjatë dy vjet, mirëpo në rast se prokuroria arrin të dëshmoj para gjykatës se i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe nuk ka mundur t’i përfundoj hetimet, por me leje të gjykatës ajo mund të zgjatë edhe për 1 vjet”, ka thënë avokati Arbër Jashari.

Megjithatë, sipas njërës prej dy avokatëve të Naim Muselit, Prokuroria po vonon në aktakuzë sepse sipas tyre klienti i tyre është i pafajshëm dhe organi i akuzës nuk ka motiv.

“Sa i përket procesit gjyqësor, se kur do të përfundoj ne nuk kemi njohuri për shkak se ende nuk është ngrit aktakuzë ndaj të mbrojturit tonë Naim Murseli. Sa i përket deklaratave të dhëna nga ana e Naim Murselit e të cilat kanë qenë të shumta çdo here e ka mohuar kryerjen e veprës penale apo involvimin në këtë rast, në çfarëdo mënyre. Mungesë motivi”, ka thënë avokatja Teuta Zhinipotoku.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës insiston në punë më të shpejt nga sistemi i drejtësisë.

“Është shumë shqetësues jo vetëm ky rast, por të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me vrasjet e grave çdo zvarritje është edhe zvarritje e prurjes së drejtësisë, është një stres dhe ngarkesë shtesë për të gjithë anëtarët e familjes të së ndjerës”, ka thënë Berisha.

Liridona Ademaj gjatë ditës është kujtuar edhe nga familjarë të saj me anë të postimeve ne Facebook. /Dukagjini/

Exit mobile version