Një qytetare me inicialet L.D. është ankuar në redaksinë e Telegrafit se nuk po mund të kryejë disa shërbime në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Matiqan. Sipas saj, ajo nuk ka mundur të kryejë disa analiza në këtë qendër, dhe thotë se aty punon vetëm një laborante.
Qytetarja po ashtu thotë se laborantja mungon pothuajse gjithmonë në punë, duke shtuar se nga kjo qendër merr vetëm arsyetime dhe jo shërbime, transmeton Telegrafi.
“Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Matiqan është vetëm një laborante. Zonja në fjalë mungon gjithmonë gjatë orarit të punës. Arsyetimet janë këto: “Nuk kemi material sot, do të vijë nesër.” Kur vjen dita tjetër, thonë se laborantja nuk është aty dhe do të mungojë edhe një javë tjetër”, është shprehur qytetarja.
Gjithashtu, ajo thotë se për këtë problem ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës, por që askush nuk është lajmëruar për ta adresuar problemin.
“Kam marrë në telefon Komunën e Prishtinës dhe kam kontaktuar me të gjithë, por vetëm një person në Qendrën e Thirrjeve më informon se thirrjet i kalon në qendrat përkatëse, për ku edhe kam telefonuar. Kam pritur në telefon mbi 2 orë dhe askush nga asnjë departament nuk përgjigjet për të bërë një ankesë! Për mua, kjo situatë është alarmante”. pohoi ajo.
Për këtë çështje, Telegrafi ka kontaktuar me shefen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Matiqan, Arzije Krasniqi, ku edhe ka bërë të ditur se laborantja ka qenë e sëmurë përgjatë kësaj kohe.
“Laborantja Sebahate Makolli është e diagnostifikuar me Dg SARKOIDOSIS. Gjendja e saj shëndetësore kohëve të fundit është e përkeqësuar dukshëm. Gjatë vitit 2024 i ka të shfrytëzuara të gjitha ditët e pushimit vjetor e poashtu edhe pushimin mjekësorë. Përkundër gjendjes shëndetësore është një punëtore e dalluar dhe shumë e përpiktë pra kryen punën me shumë përkushtim dhe përgjegjësi”, ka deklaruar ajo.
Krasniqi ka deklaruar që shpesh ndodh që pacientët i drejtojnë në qendra të tjera për të kryer analiza.
“Ndodh që mund të mbesim pa laborator por pacientët drejtohen ne QMF MAT 1 dhe QKMF dhe kryhen pa asnjë problem gjë që vlen të falënderohen. Për gjendjen e saj shëndetësore kam biseduar edhe me kryeteknikun e laboratorit por nuk kemi mundur të gjejmë zëvendësim. Duhet cekur që për momentin nga sot 27.02.2025 është në pushim mjekësorë, pushim të cilin e kam rekomanduar unë. Nga dita e hënë deri të mërkurën ka pasur gjithsej 56 pacientë, përkundër terapisë të cilën e ka marr ne ambullantë e që është e protokoluar”, theksoi ajo.
Krasniqi po ashtu deklaroi se nuk kanë mungesë të materialit për analiza.
Sa i përket mungesës të materialit për analiza ne nuk kemi probleme të tilla./Telegrafi/