Ukraina ka nevojë për ndihmë masive financiare për t’u rindërtuar pas shkatërrimit të shkaktuar nga agresioni rus.

Kështu ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz, duke thënë se rindërtimi do të ishte një “detyrë për brezat”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Duke përmendur iniciativën e SHBA-së për të ndihmuar Evropën Perëndimore të rindërtohet pas Luftës së Dytë Botërore, Scholz tha se kishte ftuar presidentin ukrainas Zelensky të marrë pjesë në samitin e G7 që fillon këtë të diel, për të “rënë dakord se si do të dukej një ‘Plan Marshall për Ukrainën'”.

“Dhe ashtu si Evropa e shkatërruar nga lufta atëherë, Ukraina ka nevojë për një Plan Marshall për rindërtimin e saj”, citohet të ketë thënë ai, përpara samiteve radhazi që mbledhin liderët e BE-së, G7 dhe NATO-s në ditët në vijim.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka “mobilizuar” tashmë miliarda euro për Ukrainën, vendi do të kërkojë shumë më shumë miliarda në vitin e ardhshëm, tha Scholz.

Dhe nevojat financiare mund të mbulohen vetëm me pjesëmarrjen e organizatave ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të mëdha donatore, ka vlerësuar ai. /Telegrafi/