Zyrtarët amerikanë njoftuan se Arabia Saudite dhe Izraeli mund të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike në vitin 2024, gjë që do të përfaqësonte një hap historik në kontekstin e marrëdhënieve midis vendeve të Lindjes së Mesme.
Sipas Wall Street Journal (WSJ), normalizimi i marrëdhënieve është pjesë e një projekt-marrëveshjeje për të cilën filloi të flitej pasi këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan u takua me Princin e Kurorës saudite, Mohammed bin Salman.
“Shtetet e Bashkuara thuhet se i kanë kërkuar Arabisë Saudite të kufizojë marrëdhëniet e saja ekonomike dhe ushtarake me Kinën si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, duke përfshirë sigurimin e Uashingtonit se Riadi nuk do të lejojë Kinën të ndërtojë baza ushtarake në territorin e saj”, shkruan Jerusalem Post.
Një zyrtar amerikan i paidentifikuar i tha WSJ se normalizimi i marrëdhënieve po diskutohet intensivisht në disa nivele.
“Uashingtoni dhe Riadi planifikojnë të testojnë kufijtë e asaj që është e mundur”, tha zyrtari amerikan.
Në të njëjtën kohë, raporti thekson se presidenti amerikan, Joe Biden ende nuk ka vendosur se çfarë është i gatshëm t’u japë sauditëve në këmbim të një marrëveshjeje historike paqeje në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për një gazetë amerikane, ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen tha se Amerika duhet t’i japë Arabisë Saudite një garanci se do ta mbrojë atë kundër agresionit bërthamor iranian.
Sipas analizës, administrata Biden dëshiron të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve deri në fund të vitit 2023, në mënyrë që të shmanget një votim në Kongres gjatë një viti zgjedhor.
“Elementet që lidhen me marrëveshjen e normalizimit përfaqësojnë gjithashtu hapa të prekshëm drejt shtetësisë palestineze, të cilën Arabia Saudite e ka kërkuar më parë nga Izraeli”, thekson Jerusalem Post. /Telegrafi/