Një gjyqtar milioner për duelin Shqipëri - Portugali

Konfirmimi erdhi nga faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit. Eriksson nuk është një “xhaketë e zezë” si të gjithë të tjerët. Rasti i suedezit është unik, pasi bëhet fjalë për një milioner që ka pasion arbitrimin.
Nëse elita e gjyqtarëve të futbollit botëror fiton deri në 95 mijë Euro në vit nga profesioni që kanë, Jonas Eriksson përfiton disa herë më tepër.
41-vjeçari është shndërruar në multi-milioner, pasi shiti aksionet e një kompania suedeze për të drejtat tevevizive. Kjo ndodhi tetë vjet më parë, kur nga shitja e 15 për qind të aksioneve, ai përfitoi mbi 8 milionë Euro.
Me një të kaluar edhe si ish-gazetar, Eriksson e praktikon profesionin si gjyqtar prej vitit 1994. Ai ishte një prej tre ortakëve që shitën aksionet e tyre në kompaninë sportive IEC.
Megjithë jetën luksoze mes jahteve dhe supervilën në qytezën piktoreske të Sigtuana-s, vetëm pak kilometra larg Stockholm-it, prej 2011-ës ai i është dedikuar tërësisht profesionit si gjyqtar, duke rrëfyer se kjo është periudha më e bukur në jetë.
Arbitri suedez Erkisson nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë, përkundrazi mund të cilësohet fatsjellës. Ai drejtoi sfidën e 28 Marsit 2007, ku kuqezinjtë barazuan 0-0 në Sofje me Bullgarinë, në kualifikueset e Euro 2008. /SS/Telegrafi/


















































