Site icon Telegrafi

Një adoleshent në Francë vdes pas përplasjes së motoçikletës së tij me veturën e policisë, qeveria tani ka frikë nga trazirat

Qeveria franceze ka bërë thirrje për qetësi pas vdekjes së një motoçiklisti 16-vjeçar, i cili u përplas me një automjet policie në një rrugë jashtë Parisit.

Prokurorët thanë se po hetojnë pretendimet e policisë se adoleshenti nuk ndaloi teksa po ecte me motoçikletën e tij në rrugë, dhe se ai u përplas me një automjet policie teksa po ikte, transmeton Telegrafi.

Ata thanë gjithashtu se dy policët janë në paraburgim në pritje të një hetimi për vrasje. Adoleshenti ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra.

Aksidenti ndodhi të mërkurën në Elancourt, në Yvelines në perëndim të kryeqytetit, pak më shumë se dy muaj pasi policia qëlloi dhe vrau një 17-vjeçar me origjinë afrikano-veriore në periferinë e Parisit, Nanterre.

Ky incident shkaktoi pesë ditë trazira dhe plaçkitje në të gjithë vendin. Zëdhënësi i qeverisë Olivier Veran tha se një hetim në vazhdim do të përcaktojë “rrethanat e sakta” të përplasjes të së mërkurës.

“Unë bëj thirrje për qetësi… Bëj thirrje për përmbajtje dhe konsideratë të kujdesshme”, tha ai për radion France Inter.

“Pavarësisht se sa dramatike është situata, kemi nevojë për përgjigje që nuk i kemi ende”, shtoi ai.

Vdekja e adoleshentit, kombësia e të cilit nuk është bërë e ditur, vjen ndërsa Franca përgatitet të presë Kupën e Botës në Ragbi.

Turneu fillon të premten kur Franca luan me Zelandën e Re në Stade de France afër Parisit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version