LAJMI I FUNDIT:

Nishani: Zgjedhjet do jenë të pakontestueshme

Nishani: Zgjedhjet do jenë të pakontestueshme

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, priti sot pasdite në ambientet e Presidencës trupin diplomatik të akredituar në Tiranë me rastin e Vitit të Ri 2013. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kreu i shtetit i shprehu angazhimin e tij përfaqësisë diplomatike për mbështetjen e klasës politike në vend me qëllim përmbushjen e kritereve evropiane, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të pakontestueshme dhe demokratike.

“Klasa politike duhet të dëshmojë marrjen përsipër të përgjegjësive. Për këtë kërkoj dhe do mbështes angazhimin e aktorëve për rezultate konkrete. Që nga përmbushja e BE për tre ligjet, por edhe për zgjedhjet të liria dhe të pakontestueshme për 23 qershorin”, theksoi Nishani.

Kreu i shtetit duke e vënë theksin tek thellimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë nënvizoi sfidat e vendit në politikën rajonale, por edhe vijimin e mbështetjes së shtetit të Kosovës. Presidenti Nishani vlerësoi se fqinjësia nuk mund të zgjidhet, por në frymën e bashkëpunimit demokratik mund të bashkëjetohet në mënyrë normale.

“Shqipëria e konsideron me përparësi afatgjatë ruajtjen e marrëdhënieve normale në rajon. Fqinjët nuk mund ti zgjedhësh, por mund të jetosh me harmoni nëse bashkëpunon me vlerat e demokracisë. Sot në Ballkanin Perëndimor pas diktaturës shoviniste po jetojmë në frymën e bashkëpunimit. Është fakt se e ardhmja e përbashkët e rajonit parashtron sfida të vërteta , që mund ti zgjidhim vetëm së bashku. Ne vlerësojmë procesin e konsolidimit të pavarësisë së Kosovës”, tha Nishani.

“Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë strategjike në përputhje me aspiratat evropiane. Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës, pasi Kosova prodhon vetëm paqe dhe qëndrueshme në Ballkan. Përshëndesim bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për veshjet teknike dhe praktike. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet njohjen e Kosovës, duke lobuar për të dhe do mbështesim edhe përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat dhe forumet rajonale”, u shpreh Nishani. /Telegrafi/