Nishani: Qeveria realizoi detyrimet

“Në zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor qytetarët shqiptarë votuan me dokumenta identiteti të standarteve më të larta ndërkombëtare, me lista të sakta zgjedhësish që buruan nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile dhe në kushte të plota të sigurisë dhe qetësisë përsa i takon rendit publik”, tha zoti Nishani në takimin që pati të enjten me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës Sllobodan Petroviç.
Ministri Nishani njohu Ministrin Petroviç mbi rëndësinë që i është kushtuar në Shqipëri zbatimit në praktikë të parimeve të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, delegimin e sa më shumë kompetencave nga pushteti qendror drejt pushtetit vendor, shumëfishimin e grantit dhe financimeve të tjera nga qeveria për njësitë e qeverisjes vendore, dhënien e mundësisë për kredimarrje të drejtëpërdrejtë nga njësitë vendore dhe transferimin e pronave publike drejt pushtetit vendor.
Nishani dhe Petroviç shprehën besimin se të gjitha vendet e rajonit janë në rrugë të mbarë në axhendën e përbashkët për integrimin në Bashkimin Europian./Telegrafi/




















































