Prej disa ditësh ka nisur puna në terren për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas.
Kompania zbatuese e projekti ka hequr një pjesë të shinave të vjetra në zonën e Laknasit aktualisht dhe do të vijojë punën edhe për pjesën tjetër për zëvendësimin e tyre me shina të reja.
Projekti i miratuar që prej vitit 2016 parashikon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, si dhe ndërtimin e një degëzimi hekurudhor prej 5 km ndërmjet Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.
Pas përfundimit të plotë të veprës hekurudhore distanca Tiranë-Durrës pritet të përshkohet me tren për rreth 22 minuta, ndërsa do të shkurtohet edhe rruga nga Tirana për në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit që pritet të bëhet për 12 minuta.
Kostoja totale e këtij investimi kap vlerën e 92.1 milionë euro, nga të cilat 36.9 milionë euro janë kredi e marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimi, 35.5 milionë euro janë grant që do të mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor ndërsa pjesa e mbetur prej 19.7 milionë euro do të financohen nga buxheti i shtetit.
Punimet për rikonstruksionin e hekurudhës ekzistuese dhe linjës së re drejt Rinasit pritet të përfundojnë plotësisht në vitin 2023.
Kjo linjë hekurudhore pritet të shërbejë për transportin e pasagjerëve ashtu edhe për atë të mallrave.
Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas është pjesë e Agjendës së Konektivitetit që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Evropën. /TCH/