Pjesë nga vepra e publicistit dhe studiuesit Daut Dauti, Çështja shqiptare në diplomacinë britanike (1877-1880)

Në Beograd, në fillim të muajit shkurt 1879, ishte kthyer gjenerali Çernajevi, një rus i njohur si pansllavist i zjarrtë, i cili e kishte udhëhequr ushtrinë serbe në kryengritjet kundër Perandorisë Otomane. Diplomatët e huaj në Beograd besonin se ardhja e tij lidhej me intriga të reja që do të reflektoheshin jo vetëm në Serbi, por edhe më gjerë në sferën sllave. Gjenerali Çernajevi kishte ardhur nga Parisi dhe ishte në rrugë për në Bullgari për të filluar një funksion të ri ushtarak rus. Ai qëndroi disa ditë në Serbi duke shpresuar se do ta takonte Princ Milanin të cilit tha se do t’ia propozonte një projekt për ndërtimin e hekurudhës në Serbi. Princ Milani e refuzoi dy herë kërkesën e tij për takim, duke u arsyetuar se ende nuk ishin pjekur kushtet që Serbia që ta ndërtonte hekurudhë. Gjenerali rus kishte udhëhequr ushtrinë serbe në luftë për pavarësi dhe tashti ai, duke përfaqësuar disa firma ruse, shpresonte të merrte koncesione nga shteti serb.

Informatat sekrete thoshin se gjenerali rus e kishte ndërmend që me veprimet e tij të reja, të shtyra nga idetë pansllaviste, të rrezikonte vendimet e Traktatit të Berlinit. Pas disa ditësh, shënimet britanike të mbledhura nga shërbimet sekrete bënin me dije se agjentë të shumtë të ideve pansllaviste kishin filluar të shpërndanin armë dhe të stërvitnin njerëz nëpër Serbi. Besohej se gjenerali Çernajevi po përgatiste ushtarë serbë që në pranverë të sulmonte territoret otomane nga kufiri jugor i Serbisë.

Në mes të muajit shkurt, majori Wilson dërgoi në Foreign Office edhe dy raporte tjera të cilat i kishte përfunduar lejtënanti Ross i Bladensburgut nga vizita që kishte bërë në Kosovë, gjegjësisht rreth Prepolacit, vend në të cilin kontestoheshin detajet e kufirit. Situata në këtë terren ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme nga ajo që ishte paraqitur në hartat ushtarake të Austro-Hungarisë. Në ato momente ushtria serbe kishte okupuar pozita të rëndësishme strategjike, por të cilat, sipas lejtënantit britanik, nuk duhej lënë në duart e Serbisë. Prandaj, edhe këtu propozohej që të bëhej një interpretim serioz i Traktatit të Berlinit që kishte të bëjë me këtë çështje dhe të krijohej një hartë nga e cila Prepolaci, si komunë në tërësi, të mbetej brenda territorit otoman.

Në mesin e shkurtit qeveria serbe i njoftoi përfaqësitë e huaja diplomatike për problemet që shqiptarët i shkaktonin ne jug të kufirit të këtij shteti. Beogradi, duke i ekzagjeruar detajet e ndodhive të këtij lloji, mundohej që këtë çështje ta paraqiste të rrezikshme edhe pse caktimi i kufirit gati ishte vendosur. Informatat e ministrisë së jashtme të qeverisë serbe bënin me dije se një numër i konsiderueshëm i forcave shqiptare kishin kaluar kufirin duke depërtuar në drejtim të Kopaonikut. Sipas Beogradit, shqiptarët kishin shkaktuar dëme të mëdha me sulmet e tyre shkatërruese. Kjo ishte arsyeja që ushtria serbe kishte vënë në dispozicion gjashtë batalione të cilat ishin angazhuar për t’i ndjekur këta shqiptarë të armatosur nga territori i Serbisë. Ushtria serbe, duke i ndjekur shqiptarët, kishte hy edhe në territor të Kosovës, por ishte zmbrapsur pas konfrontimit me ushtrinë otomane.

Incidentet rreth kufijve i përshkruante edhe diplomati britanik, Gouldi. Nga Beogradi ai e lajmëronte Londrën se kufiri i Serbisë me Perandorinë Otomane, në pjesën e Kosovës, ishte në gjendje jostabile për shkak të ringjalljes së armiqësisë në mes të shqiptarëve dhe shtetit serb. Grupe shqiptarësh shpesh hynin në territor të Serbisë. Kufiri, siç njoftonte Gouldi, ishte bërë skenë e përleshjeve në mes shqiptarëve dhe ushtrisë serbe dhe që të dy palët kalonin në territoret e njëra-tjetrës duke sulmuar. Gouldi mendonte se këto sulme bëheshin edhe për shkak të mbrojtjes së dobët të ushtrisë otomane në kufi. Lufta e fundit kishte ndikuar që shqiptarët të mos kishin më respekt për ushtrinë otomane e as pushtetin e sulltanit. Kjo gjë reflektohej edhe në marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe serbëve të cilat Gouldi i përshkruante se asnjë herë nuk ishin të mira. Në mënyrë indirekte, Gouldi i shihte sulmet e shqiptarëve si të arsyeshme pasi që ata ishin dëbuar nga territori që fillonte nga Nishi e mbaronte në kufi afër Vranjës. Shqiptarët kishin lënë pronat e tyre, kurse pushteti serb ua kishte ndaluar kthimin dhe duke mos konsideruar asnjë forme të kompensimit. Prandaj, këtyre njerëzve nuk u kishte mbetur asgjë tjetër pos hakmarrjes.

Në këtë kohë qeveria serbe kishte ndërmarrë hapat e parë për të rregulluar territorin e pushtuar në aspektin burokratik dhe të ndarjes administrative dhe territoriale. Territori i ri ishte ndarë në katër provinca. Sipas një liste të hartuar nga qeveria serbe, rajoni i Nishit numëronte 248 fshatra, i Pirotit 189, i Vranjës 189 kurse ai i Toplicës kishte 372 fshatra. Numri i përgjithshëm i këtyre fshatrave arrinte shifrën 998. Diplomatët e huaj, por edhe serbët, nuk mund ta fshihnin faktin se një numër i konsiderueshëm i këtyre fshatrave ishin shqiptare. Qeveria serbe paralajmëroi regjistrimin e popullsisë e cila do të fillonte së shpejti. Regjistrimi kinse bëhej për shkaqe të taksave që do t’i mblidhte shteti serb por esenca ishte në numërimin e banorëve të këtyre territoreve që tashti për herë të parë serbët do ta përbënin shumicën ku më nuk kishte pothuaj asnjë shqiptar.

Territori nga ishin përzënë shqiptarët ende gjendej i pabanuar, kurse tokat kishin mbetur të papunuara. Kjo rezultonte me mungesë të ushqimit në Serbi. Ky territor kishte qindra fshatra të zbrazëta dhe qindra mijëra hektarë tokë pjellore djerrinë. Nga frika e shqiptarëve, serbët ende nuk kishin marrë guxim t’i pushtonin këto pasuri, shkruante Gouldi. I tërë ky territor ishte shndërruar në një shkretëtirë në të cilin endeshin vetëm grupe të armatosura të shqiptarëve. Ky fakt kishte ndikuar që të shkaktohej një brengosje për sigurinë e komisionarëve të cilët do të fillonin nga puna e caktimit të kufirit në muajin maj. Prandaj, diplomatët britanikë sugjeruan që Porta dhe Serbia të koncentronin trupa më të mëdha në rajon me fillimin e pranverës.

Kufiri ishte më shumë në rrezik nga serbët. Përfaqësuesi diplomatik britanik në Beograd, më 23 shkurt e lajmëronte Londrën për këto rreziqe. Ai i kishte vërtetuar si të sakta akuzat e Portës se grupe të mëdha në Serbi po përgatiteshin që në pranverë të sulmonin territorin e Perandorisë në Maqedoni dhe në Kosovë. Dyshohej se gjenerali rus, Çernajevi, qëndronte pas këtyre planeve. Një gjë të tillë e mohonte qeveria serbe.

Në fillim të muajit prill u shpeshtuan përleshjet e grupeve të armatosura të shqiptarëve me ushtrinë serbe rreth kufirit, por edhe brenda territorit të Serbisë. Një sulm i shqiptarëve u bë me 11 prill, por përleshja me ushtrinë serbe nuk shkaktoi fatalitete. Diplomatët mendonin se këto sulme të shqiptarëve ishin më shumë çështje taktike që kishin për qëllim t’i shqetësonin serbët që ua kishin okupuar tokat. Prandaj, ky sulm ishte i tillë dhe qe bërë gjatë festave të pashkëve sa për të çrregulluar festivalet serbe. Megjithatë, kur serbët e Vranjës panë shqetësimet e ushtrisë së tyre, nga paniku, disa qindra familje ikën dhe u vendosën në Nish.

Një sulm tjetër më serioz i shqiptarëve ishte bërë me 16 prill. Papritmas, shqiptarët në mëngjes të kësaj ditë sulmuan nga Prepolaci. Brenda një kohe të shkurtër ata e shpartalluan ushtrinë serbe të vendosur në postblloqet përreth. Pas sulmit të rrufeshëm dhe të ashpër të shqiptarëve, ushtria serbe u tërhoq në drejtim të Nishit. Shqiptarët pa ndonjë problem të madh okupuan Kurshumlinë. Gouldi shkruante se shqiptarët nuk ishin më shumë se 1 000 veta, por ishin mirë të armatosur dhe ishin nën komandë të një udhëheqësi ushtarak jashtëzakonisht të aftë.

Pas disa ditëve ushtria serbe në rrethin e Nishit tuboi 16 batalione, 6 nga të cilat ishin ushtri e rregullt kurse të tjerët ishin nga radhët e milicisë. Këto trupa ishin të përforcuara edhe nga disa njësi të artilerisë. Qëllimi i tyre ishte që të okuponin sërish Kurshumlinë dhe t’i përzinin shqiptarët matanë kufirit. Gjatë kësaj kohe, Beogradi, duke dashur të mbulonte dështimin ushtarak, filloi të përhapte dezinformata nga më të ndryshmet për masakrat kinse po i shkaktonin këta shqiptarë ndaj ushtarëve, por edhe popullatës serbe në territorin që kishin shtënë në dorë. Diplomatët britanikë në Beograd theksuan se këto publikime të qeverisë serbe, në lidhje dëmet që kishin shkaktuar shqiptarët gjatë këtyre sulmeve, ishin tejet të stërmadhuara.

Qeveria serbe i dërgoi një telegram Portës së Lartë për të shprehur shqetësimin e saj në lidhje me sulmin e shqiptarëve. Beogradi e akuzoi Portën pasi ajo nuk i kishte penguar shqiptarët të depërtonin në Serbi, duke i shkelur kështu rëndë ligjet e kufirit dhe duke e dhunuar rëndë territorin e kësaj principate.

Me 23 prill qeveria serbe zyrtarisht deklaroi se grupet e shqiptarëve që sulmonin Serbinë ishin mposhtur definitivisht, por bëhej me dije se ende kishin mbetur elemente të shkapërderdhura në tërë territorin jugor të këtij shteti. Diplomatët britanikë mendonin se këtu nuk bëhej fjalë për asnjë fitore të serbëve por grupet e armatosura shqiptare ishin tërhequr vullnetarisht në Kosovë pasi që mund të sulmonin kurdo që donin. Beogradi, po ashtu, njoftoi se pushteti otoman në Kosovë i kishte dërguar një telegram qeverisë së Serbisë në të cilin thuhej se ushtria otomane do të kujdesej në maksimum për të ruajtur kufirin. /Telegrafi/