LAJMI I FUNDIT:

Nga burgu organizon një rrjet të komplikuar trafiku heroine

Nga burgu organizon një rrjet të komplikuar trafiku heroine

Një shtetas shqiptar, në vuajtje dënimi me burgim për trafik lëndësh narkotike, rezulton të jetë koka e një rrjeti trafiku droge të fortë në ishullin turistik Rodos.

Në këtë trafik ishin përfshirë disa shtetas grekë dhe një vajzë nga Ukraina. Policia ka kryer dje një operacion në ishullin Rodos duke arrestuar dy shtetas grekë, secili 36 vjeçar si dhe vajzën 23 vjeçare ukrainase kurse dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Nga kontrollet e kryera u bllokua dhe një sasi heroine e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Operacioni erdhi pas përgjimeve dhe infiltrimit të dy policëve në rrjetin narkotik. Dy punonjës policie janë paraqitur si klientë të interesuar për shitblerje droge në Rodos ku edhe rrjeti kryente trafikun fitimprurës, raporton NOA.


Fillimisht ishte 36 vjeçari grek i cili u takua në Rodos me policin klient i rremë dhe kundrejt pagesës i dha 17.4 gramë heroinë. Dorëzimin e mallit ia bëri pranë shtëpisë ku jetonte me 23 vjeçaren nga Ukraina.

Më tej për një sasi të dytë, 36 vjeçari shpuri policin klient të rremë, në një livadh në zonën e Koskinu ku i dorëzoi edhe 873 gramë heroinë që mbante fshehur diku aty. Në këto çaste u bë arrestimi i 36 vjeçarit dhe në shtëpi edhe i vajzës ukrainase.

Ndërkohë, kontrolli zbuloi edhe 20 doza të tjera me gjithsej 390 gramë heroinë dhe tre telefona celularë.

Policia zbardhi se heroina kishte ardhur me anije nga Pireu në Rodhos dhe shoqërohej nga 36 vjeçari i dytë dhe një tjetër shtetas grek. Vetëm 36 vjeçari u bë e mundur të kapej kurse tjetri si dhe një i dytë po kërkohen për tu vënë në pranga.

Policia tha se hetimi zbardhi fillin e rrjetit narkotik. Ishte i riu 33 vjeçar shqiptar që nga burgu pranë Rodosit, drejtonte të gjithë aktivitetin trafikant. Ai porosiste heroinën tek grekë dhe kryente shpërndarjen me miqtë e tij në liri duke shitur drogën e fortë tek banorët dhe turistët e Rodosit. /Telegrafi/