LAJMI I FUNDIT:

Neuropsikiatri shqiptar nga Instituti i Shëndetit Mendor në Maryland-ShBA, intervistë për Telegrafin: Flet për COVID-19 dhe izolimin social

Neuropsikiatri shqiptar nga Instituti i Shëndetit Mendor në Maryland-ShBA, intervistë për Telegrafin: Flet për COVID-19 dhe izolimin social

Për Bashkim Kadriu-neuropsikiatër dhe shkencëtar në Institutin kombëtar Shkencor të Shëndetit Mendor në Maryland-ShBA, rezultati i një pune vetëmohuese, të sinqertë, plot peripeci, por me shumë pasion e  vullnet, edhe suksesi i vazhdueshëm që kompleton një rrugëtim plot sakrifica e mundë. Ai tha se ky rrugëtim e ka privilegjuar të jetë në njërin nga institucionet më prestigjioze shkencore në botë, ta praktikoj mjekësinë në Spitalin Nacional të Amerikës, që është padyshim ëndërr e mjekëve e shkencëtarëve të kësaj lëmie.

Në një intervistë, për Telegrafin. Kadriu,i cili ka mbi 50 punime shkencore dhe ka marrë mbi dhjetëra çmime ndërkombëtare afër 18 sosh në fushën e shëndetësisë, kryesisht në atë të shëndetit mendor, tregon rrugëtimin e tij në ShBA drejt suksesit, duke specifikuar vështirësitë, sfidat, e deri tek arritja e qëllimit.


“Fillimi ishte jo i lehtë, adaptimi në një kulturë të re, njohja me punën eksperimentale, edhe ardhja deri tek publikimet e para atje, ishte vërtetë eksperiencë e veçantë, por edhe sfiduese. Gjatë punës sime atje fokus i veçantë ishte studimi i markerëve të veçantë tek sëmundjet e Skizofrenisë dhe çrregullimeve bipolare”, tha mes tjerash Kadriu.

Duke folur për pandeminë COVID-19, ai tha se Instituti ku ai punon dhe Spitali Nacional i Amerikës që është pjesë e tij, ka primatin në udhëheqjen e punës kërkimore për zhvillimin e testeve diagnostike, gjetjen e vaksinës, si dhe të zbulimit të barërave terapeutike për pandeminë COVID-9.

“Fazat që shpijnë në sintetizimin e vaksinës, fillojnë përfshirjen nga fazat eksploratore, e paraklinike e sintetizimit të testimit të vaksinës tek kafshët eksperimentale, për të vazhduar më tutje me tri fazat klinike dhe testimit tek njerëzit. Krahas kësaj, janë edhe fazat që përfshijnë kontrollin nga institucioni rregullator dhe aprovimi, ku jepet dritë jeshile për prodhimin dhe kontrollin e kualitetit”, tha mes tjerash ai në intervistë.

Telegrafi: Z. Kadriu, keni mbi 50 punime shkencore dhe keni marrë mbi dhjetëra çmime ndërkombëtare afër 18 sosh në fushën e shëndetësisë, kryesisht në atë të shëndetit mendor. Na tregoni pak për rrugën tuaj, sfidat, vështirësitë  nga fillimi i karrierës e deri tek suksesi juaj?

Dr. Bashkim Kadriu: Rrugëtimi im në SHBA, është rezultat i një pune vetëmohuese, të sinqertë, plot peripeci e sakrifica, megjithatë, kur reflektoj nga këndvështrimi i tanishëm, ky rrugëtim më ka privilegjuar të jem në njërin nga institucionet me prestigjioze shkencore në botë, e ta praktikoj mjekësinë  në Spitalin Nacional të Amerikës, që është ëndërr e mjekëve e shkencëtarëve të lëmisë time këtu. Unë mendoj që fillimi i rrugëtimit ka qenë fazë kritike, se për herë të parë gjeta vetën në një lëmi komplet të panjohur, edhe pse unë kisha informacione paraprake, megjithatë punë laboratorike në Institutin Shkencor të Psikiatrisë pranë Universitetit të Illiniois-it në Çikago, ishte vërtetë eksperience unike, por edhe sfiduese. Fillimi ishte jo i lehtë, adaptimi në një kulturë të re, njohja me punën eksperimentale, edhe ardhja deri tek publikimet e para atje, ishte vërtetë eksperiencë e veçantë, por edhe sfiduese. Gjate punës time atje fokus i veçantë ishte studimi i markerëve të veçantë tek sëmundjet e Skizofrenisë dhe çrregullimeve bipolare. Paralelisht, në këtë periodë unë njëkohësisht fillova edhe nostrifikimin e ekuivalntimin të diplomës, për atë që njihet si provime bordi (board exams) që të më jepet mundësia ta praktikoj mjekësinë këtu. Pas punës 7 vjeçare në Çikago, publikimit të 11 punimeve shkencore, përfundimit të provimeve shtetërore, fitova kartën jeshile (green card) në kategorinë e aftësive shkencore, gjë që më hapi rrugën të jem i lirë të aplikoj për punë kudo në Amerikë. Pas, kësaj unë lëviza tek Departamenti i Neuroshkencës, tek Universiteti i  Albert Einstein në New York , ku punova edhe dy vite të tjera dhe merresha ekskluzivisht me studime bazike shkencore, me fokus  tek sëmundja e Huntingtonit. Pas, kësaj periode unë u pranova të vazhdoj specializimin në lëmin e Neuropsikiatrisë në këtë universitet.  Aty përfundova tri vite të specializimit, por ishte eksperiencë e jashtëzakonshme, në një popullatë më kompleksitet të madh mjekësor, por edhe psikiatrik. Aty, disa herë tri vite me radhë u zgjedha specializanti i vitit, gjë që ndikoj që në vitin 2015, u nominova si një ndër specializantët më të mirë dhe fitova një çmim prestigjioz në Amerikë, çmim ekselence gjatë specializimit në fushë (NIMH Outstanding Resident Award), që më vonë më dha mundësinë që të transferohem tek Instituti Kombëtar i Shëndetit, që ta vazhdoj punën specialistike dhe shkencore me fokus në lëminë e trajtimit të depresionit rezistentë në trajtim. Paralelisht, një punë e imja këtu ka të bëjë me zbulimin e barërave me veprim të shpejt terapeutik tek personat rezistentë në trajtim, ku terapia standarde për depresion dhe çrregullim të formës nuk ka efikasitet. Gjatë punës këtu në NIH, për 4 vitet e fundit, unë kam publikuar diku 33 punime shkencore, disa kapituj librash në fushën time, prezantove në forumet e konferencat shkencore me më renome në fushën e Neuroshkencës dhe Psikiatrisë, si dhe isha i ftuar të mbaja ligjëratë në dhjetëra Universitete e Institucione prestigjioze anë e kënd botës.

Telegrafi: Padyshim që me një punë të jashtëzakonshme dhe të palodhshme keni arritur aty ku jeni sot. Në një ndër Institutet më të njohura shkencore në ShBA. Kush ju ka ndihmuar më së shumti deri të arritja e këtij suksesi?

Dr. Bashkim Kadriu: Unë besoj se çelësi i suksesit ishte puna me shumë pasion, vullnet, edhe suksesi i vazhdueshëm qoftë në lëmin e shkencës, por edhe arritjet klinike mjekësore , që fitova në ndërkohë, e kompletojnë një rrugëtim plot sakrifica e mundë.  E vërteta është që gjatë gjithë këtij rrugëtimi janë familja, veçmas prindërit e mi, e në veçanti babai im (Liman Kadriu), që nuk jeton më, që më shumë mund e sakrificë edukoj 6-të fëmijët e tij dhe bëri që ne të kemi perspektivën që sot e gëzojmë. Megjithatë, këtu vlen të theksoj kontributin që mentorët profesional, kolegët e fushës sime, kanë në arritjet e mija profesionale. Këtu në Amerikë nuk ka shkence individuale, ajo është kontribut kolektiv, dhe fort i bashkërenduar. Në fund, e theksoj se rol të veçantë ka edhe adaptimi në kulturën ditore, të punës dhe dëshira e madhe për sukses.

Telegrafi: Keni ndonjë bashkëpunim me Institutet Shkencore në Kosovës, dhe a jeni i gatshëm të ktheheni dhe të kontribuoni në vendin tuaj të origjinës?

Dr. Bashkim Kadriu: Fatkeqësisht jo, edhe pse nuk kanë munguar iniciativat individuale për këtë gjë, megjithatë sa i përket bashkëpunimit institucional ai nuk ekziston për momentin. Më vjen keq për këtë, sepse, unë vazhdimisht kam bashkëpunim me universitete në gjithë globin, mbaj ligjërata në Universitetin e Vjenës, Taiwan, në Athinë, e në gjithë Amerikën, por jo në Shqipëri e Kosovë. Shpresoj, se në të ardhmen e afërt të bëjmë një gjë të tillë dhe uroj që dijet e fituara këtu ti ndaj me kolegët e mi në të gjitha trevat shqiptare.

Telegrafi: Z. Kadriu, bota është duke u përballuar tashmë me coronavirus apo me pandeminë COVID-19. Si është gjendja në ShBA me COVID -19, dhe në cilin shtet ka numër më të madh të infektuarve?

Dr. Bashkim Kadriu: Tashti, ashtu si jeni te informuar në kohë reale, në Amerikë tashmë ka 1/3 e të infektuarve me coronavirus në botë, por shtete të caktuara siç janë New York, New Jersey, etj kanë një  numër shumë të madh të të infektuarve, por fatkeqësisht edhe të viktimave nga COVID-19. Në kohë të fundit, edhe këtu vërehet se numri i personave të infektuar ka filluar të bije, dhe flitet për një hapje graduale, që normalisht mendohet të jetë paralele me të dhënat shkencore nga institucionet relevante këtu siç janë Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Telegrafi: Në Institutin ku ju punoni, çfarë hulumtimesh janë duke u bërë kohëve të fundit për të gjetur shkakun e pandemisë, zbulimin e barnave terapeutike apo edhe të vaksinës për pandeminë e Covid-19?

Dr. Bashkim Kadriu: Instituti ku unë punoj, dhe Spitali Nacional i Amerikës që është pjesë e tij, ka primatin në udhëheqjen e punës kërkimore për zhvillimin e testeve diagnostike, gjetjen e vaksinës, si dhe të zbulimit të barërave terapeutike për pandeminë Covid-19.  Nga këtu sponsorizohet shumica e iniciativave shkencore për gjetjen e barit kurues ose vaksinat preventuese për COVID-19. Tash së fundmi këtu, kompania që ne bashkëpunojmë me Institutin për Alergji dhe Sëmundje Infektive të Shëndetit (NIAID,) kanë marrë aprovimin nga Institucioni rregullator (FDA; Food and Drug Administration) për fillimin e fazës së dytë për kandidatin për vaksinës që bazohet në RNA mesëngjerin e 1273, që ka në përmbajtje materialin gjenetik, që ndikon në nxitjen e prodhimit të antitrupave mbrojtës kundër Covid-19. Paralelisht me këtë, këtu po studiohen barëra si Remdasivir, po paralelisht në një fazë të dytë, Remdasivir do krahasohet me një kombinim me Remdasivir plus, baricitinib që është barë kundër-inflamator.

Telegrafi: Cilat janë fazat e sintetizimit të vaksinës, dhe kur mund të kemi një vaksinë që mund të përdoret apo të jetë në shërbim të njerëzve?  

Dr. Bashkim Kadriu: Fazat që shpijnë në sintetizimin e vaksinës ,fillojnë përfshirjen nga fazat eksploratore, e paraklinike e sintetizimit të testimit të vaksinës tek kafshët eksperimentale, për të vazhduar më tutje me tri fazat klinike dhe testimit tek njerëzit. Krahas kësaj, janë edhe fazat që përfshijnë kontrollin nga institucioni rregullator dhe aprovimi, ku jepet drite jeshile për prodhimin dhe kontrollin e kualitetit. E veçanta e fazave klinike, është se në fazën e parë testohet tek një grup i vogël i individëve vullnetar të shëndetshëm, ku testohet siguria e vaksinës. Faza e dytë, përfshin numër më të madh të njerëzve të moshave të caktuara, ku  testohet siguria, reaktiviteti, dhe imungjeniteti i vaksinës ( në rastin e vaksinës që po testohet këtu individët do ti marrin dy doza vaksinë me distancë 28-ditëshe).  Faza e tretë dhe e fundit, bëhet në një numër shumë më të madh njerëzish dhe ka qëllim testimin e efikasitetit dhe sigurisë, krahas atyre që përmenda më herët.

Telegrafi: Izolimi social është  një shqetësim tjetër pas pandemisë në fjalë. Me çka mund te zëvendësohet, kjo  ose ndryshohet në mënyrë që njerëzit mos të pësojnë ndonjë krizë mund ta themi mendore?

Dr. Bashkim Kadriu: Izolimi social e karantina, pa dyshim do sjellin shqetësim tek të gjithë njerëzit, e veçmas tek ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, qoftë mjekësore ose psikiatrike, tek njerëzit me nevoja më veçanta, e grupe të tjera të rrezikuara siç janë: punëtorët mjekësor, e të tjerët në linjat e para të luftës kundër pandemisë. Faktor kyç në mbajtjen e mirëqenies psikologjike, është kujdesi i shtuar ndaj të dashurve tanë, biseda e hapur në familje për gjendje e rënduar emocionale, mbajtja e kontakteve virtuale, por edhe fizike më kujdestarët e shëndetit mental (psikologët, psikiatër, mjek familje e punëtor social).

Telegrafi: Si një profesionist në fushën e neuropsikiatrisë, kur duhet njerëzit të shqetësohen, pra kur fillojnë simptomat e tyre që ata të kërkojnë ndihmën e  profesionistit si të psikologut apo psikiatrit, si në fazën e izolimit, e po ashtu edhe pas saj?

Dr. Bashkim Kadriu: Këtu jo të gjithë prezantohen njëjtë, por tek shumica e adoleshentëve dhe të rriturve, simptomat e para janë shqetësimi i shtuar, ankthi i rritur, iritimi në komunikim e stabilitet të formës, humbje shprese dhe gëzimi, çrregullimet e gjumit, apetitit, humbja e  koncentrimit e fokusit, e po ashtu, përdorim i tepruar i pijeve alkoolike ose përdorimi i substancave tjera, në mes tjerash, janë simptoma të rëndimit të gjendjes psikologjike. Një fokus i veçantë duhet të vihet tek personat që vuajnë krahas simptomave si depresioni dhe ankthi, kanë edhe ide e sjellje suicidale (vetëvrasëse) të shtuara. Në këso raste kërkohet kujdesi urgjent i mjekut, e ndoshta edhe  kujdesi spitalor.

Telegrafi: Cilat janë këshillat e juaja, në mënyrë që njerëzit ta mbajnë nën kontroll shëndetin mendor, pra çka duhet të bëjnë dhe si ta lakojnë ditën?

Dr. Bashkim Kadriu: Rutina; të pasurit e një plani të parashikueshëm; shtimi i larmisë; ndjenjë qëllimi dhe drejtimi; të krijojmë ndjenjë motivimi; mbajtja e lidhjeve me familjarët dhe miqtë; mediat sociale: thikë me dy presa–na ndihmojnë të mbajmë lidhjet  e intimitetin social, megjithatë njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm që mediat sociale, mund te jenë burim i lajmeve shqetësuese, të pavërtetave që qarkullojnë si dhe informatave të pafiltruara në burime shkencore. Po ashtu, parandalimi i sjelljeve keqadaptuese; rritja e tolerancës dhe durimit, rritja e solidaritetit për njerëzit në nevojë, dhe  fleksibilitet me vetën e të tjerët.

Telegrafi: Pas kalimit të kësaj situate dhe pas karantinimit, sa janë gjasat që njerëzit të jenë më të vrazhdë me të mbyllur, apo më të hapur dhe më melankolik?

Dr. Bashkim Kadriu: E vërteta është që pas karantinimit, një pjesë e madhe e njerëzve përpos gjendjes së renduar psikologjike, do kenë një realitet tjetër, social e ekonomik, humbja e punës, vështirësitë ekonomike, papunësia etj, do ndikojnë negativisht në rritjen e stresit, dhunës në familje, si dhe në mirëqenien psikologjike të njerëzve. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për këtë tranzicion, sepse historia tregon se krahas krizës ekonomike, personat e ndryshëm shfaqin rritje të simptomave të depresionit të një numër i madh njerëzish pas krizës.

Telegrafi: Si një shqiptar i suksesshëm në vendin më të fuqishëm në botë, cili është mesazhi juaj për të rinjtë nga Kosova?

Dr. Bashkim Kadriu: Unë me modestin ma të madhe, e them se ëndrrat e mëdha bëhen realitet me punë të sinqertë e sakrificë vetëmohuese. Mua më pëlqen një thënie nga Albert Ajnshtajn  për suksesin, që thotë: “ Mos u mundo të bëhesh njeri i suksesit, por bëhu njeri i vlerave”. Unë besoj në vlerat e mirëfillta! Kur ato janë valide, suksesi nuk mungon kudo. /Telegrafi/Lumturije BEKAJ/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Kalo në kategori