Kuvendi i Kosovës, nesër nga ora 10:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.
Pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është debati parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
Kjo seancë ishte planifikuar të mbahej më 5 dhe 6 mars, megjithatë kërkesat u tërhoqën për shkak të shënimit të 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme ishte kërkuar nga partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe Alternativa bashkë me një seancë tjetër të jashtëzakonshme, atë të thirrur lidhur me bllokimin e KQZ-së nga ana e Presidentit të Kosovës. /Telegrafi/