Pas motit të keq që përfshiu Shkupin, Enti Hidrometeorologjik doli me një konstatim se mbi qiellin e Shkupit ka ndodhur një fenomen natyror të cilit ia dha epitetin “bombë uji”, që në masë të madhe ka shkaktuar katastrofën në fjalë. Shtëpi të përmbytura, rrugë të bllokuara dhe pemë të thyera është fotografia e sotme të cilën mund ta hasësh në rajonet e përmbytura në Shkup.
Alekasandar Trendafillov, profesor universitar, njëherish ekspert për erozion, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shpjegon se pse dhe si erdhi tek përmbytja e Hasanbegut, Haraçinës dhe Stajkovcit. Ai thekson se kemi të bëjmë me fenomene natyrore, por se çregullimin atmosferik e ka bërë njeriu.
“Ky rajon llogaritet për zonë kodrinoro –malore pa vegjetacion malor. Kjo do të thotë se nëse të reshurat zgjasin më shumë toka përgatitet të absorbojë ujin që nuk është rast këtu sepse këtu nuk kemi tokë të tillë sepse zona është tërësisht e zhveshur nga drunjtë që shkaktoi rrjedhë të madhe të ujit. Sipas kësaj, zhveshja nga drunjtë ka rezultuar me koncentrim të shpejtë të këtyre ujërave. Thjeshtë, kemi nevojë për male të cilët do të mund të absorbojnë ujë pesë herë më shumë nga se që mund të bëjë tani”, tha ai.
Si arsye të dytë, Trandafillov përmend edhe qarkoren e Shkupit në Stajkovc, e cila qëndroi e bllokuar pas stuhisë deri në pasditen e djeshme.
“Për fat të keq, qarkorja luajti rolin e pendës. Fillimisht konstrukti i saj në të cilin ka lëshime serioze gjatë punimeve. Nga këndvështrimi ynë fillimisht para se të ndërtohet qarkorja është nevojitur një studim i cili do të kishte analizuar të gjitha aspektet, bashkë me të dhënat nga Enti Hidrometeorologjik”, thotë Trendafillov, sipas të cilit, kanalet e ndërtuara më herët në Malin e Zi të Shkupit dhe në Fushë të Shkupit për akumulimin e ujërave nga shirat e rrëmbyeshëm janë bërë sipas nevojave të atëhershme.
Sipas tij, sot nuk do të flisnim për një tragjedi me jetë njerëzish nëse kompetentët do të mirëmbanin sistemin e kanalit për bartjen e ujërave.
“Zgjidhjet dhe rregullativat ligjore duhet të miratohen nga kompetentët. Kjo patjetër duhet të ndodhë ndërsa qytetarët do ta kuptojnë se është në të mirën e tyre. Vendet e përmbytura tani janë zona urbane por pa infrastrukturë kompatibile”, thotë Trendafillov.
Ai ngrit alarmin dhe thotë nëse një sasi e tillë e shiut do të binte mbi malin Vodno, viktimat do të ishin shumë më të mëdha, kryesisht nga shkaku i prerjes së drunjve atje dhe ndërtimit të ndërtesave kolektive të banimit.
Ndryshe, si pasojë e përmbytjeve në vendbanimet e rrethinës së Shkupit humbën jetën 22 persona, ndërkohë një fëmijë ende rezulton i humbur. /Telegrafi/