Nëntë muaj kanë kaluar prej se shpërtheu pandemia e coronavirusit në Kinë, për t’u shpërndarë më tej edhe në të gjithë botën.

Deri më tani, sipas Worlometers rreth 33 milionë njerëz në botë janë diagnostikuar me COVID-19, ndërsa numri i viktimave është rreth një milion.

Vendi më i goditur në botë raportohet të jetë SHBA-ja me shtatë milionë raste gjithsej, pasuar me Indinë e cila i ka afro gjashtë milion të prekur dhe Brazili cili i ka regjistruar 4.7 milionë të infektuar.

Jo vetëm kaq, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shifra e përgjithshme e të vdekurve mund të arrijë deri në 2 milionë, së paku deri në gjetjen e një vaksine kundër COVID-19, shkruan Telegrafi.

Zyrtarët e kësaj organizate u shprehën se numri mund të rritet edhe më tej në qoftë se nuk ndërmerret ndonjë aksion ndërkombëtar, pasi gjithë kësaj kohe ata kanë bërë thirrje për unitet.

Në anën tjetër, nëse shohim anën pozitive rreth 22 milionë njerëz në botë i mbijetuan këtij virusi vdekjeprurës.

Ekspertët deklarojnë se mposhtja e kësaj pandemie mund të lehtësohet me anë të një vaksine efektive kundër saj, mirëpo në pamundësi të ilaçit, ata bëjnë apel për respektimin e masave të distancimit shoqëror; pastrimi i duarve në mënyrë të vazhdueshme, mbajtja e maskave dhe zbatimi i rregullave higjienike.

Rasti i parë me coronavirus ishte raportuar më 25 dhjetor të vitit 2019 në Kinë, ndërsa ende ka spekulime për origjinën e sëmundjes.

Sipas raportimeve, dyshohet që virusi shpërtheu në një treg të Wuhanit, gjë që ende nuk është dokumentuar; si rrjedhë mendohet që të ketë ardhur nga lakuriqët.

Ndërkohë, duke parë përhapjen e gjerë të virusit, OBSH-ja e shpalli sëmundjen pandemi globale në muajin mars të vitit 2020.

Ekspertët ende nuk e kanë argumentuar në qoftë se sëmundja mund të transmetohet nga kafshët tek njeriu, ndërsa anasjelltas janë raportuar disa raste në botë.

Herën e fundit kur bota u përball me një pandemi vdekjeprurëse ishte rreth një shekull më parë, kur shpërtheu Gripi Spanjoll i vitit 1918, e njohur ndryshe si “nëna e pandemive”.

Njerëzit gjatë kohës së Gripit Spanjoll

Brenda dy viteve Gripi Spanjoll la të vdekur midis 40 milionë dhe 50 milionë njerëz në të gjithë botën, bazuar në të dhënat zyrtare.

Shkencëtarët dhe historianët besojnë se një e treta e popullsisë së botës, e cila në atë kohë numëronte rreth 1.8 miliard njerëz, ishte e infektuar.

Masat parandaluese

Masa e parë që ndërmerret në rast të ndonjë shpërthimi global për sa i përket sëmundjeve virale, është karantina që në gjuhen shqipe do të thotë 40 ditë.

Karantina është një periudhë izolimi i cili ndërmerret si preventivë për përhapjen e sëmundjeve përkatëse.

Gjithashtu, ideja për të izoluar qytetet nuk është diçka e re, kjo edhe njihet historikisht, kur kohë më parë u përdorën mure të qytetit ose ushtarët për të mbajtur larg të sëmurët.

Në kohën e pandemisë së coronavirusit, shumë shtete në botë zbatuan bllokimin mbarëkombëtar, për ta ndaluar përhapjen e sëmundjes; dalja e qytetarëve u lejua vetëm për arsye thelbësore.

Vendi i parë në botë që shtriu karantinën në të gjithë vendin ishte Italia gjatë muajit mars. Vendi gjatë atyre muajve ishe epiqendra e shpërthimit në Evropë.

Ekspertët ndërkohë, thonë se përhapja mund të zvogëlohet në rast të se implementohen masat e distancimit shoqëror, madje OBSH deklaron se largësia mes dy personave duhet të jetë së paku dy metra.

Coronavirusi në Kosovë

Rastet e para me coronavirus në Kosovë u konfirmuan më 13 mars të vitit 2020, asokohe qeveria ndërmori masa për mbylljen e shkollave dhe aktiviteteve të tjera biznesore.

Për më shumë se dy muaj qytetarët nuk kishin të drejtë daljeje jashtë shtëpisë, vetëm në rast të çështjeve themelore.

Sot Kosova ka raportuar deri më tani rreth 15 mijë raste nga coronavirusi, dhe 622 të vdekur; ndërkohë numri i të shëruarve u rrit në 13 mijë. /Telegrafi/