LAJMI I FUNDIT:

Në vendin e shpresës së vrarë

Në vendin e shpresës së vrarë

Gjyshja ime më tregon se si dikur serbët i kishin fqinj. Ata erdhën e u vendosen në tokat tona – ne i duruam dhe nuk e lëshuam vendin; ata punonin në arat tona e ndërtonin shtëpi të mëdha – ne shpresonim që një ditë do të jemi të lirë e gjërat do të jenë ndryshe… por, shqiptarët nuk ikën nga Kosova”.

Kjo është vetëm një pjesë e tmerrit, për të cilën flet gjyshja. Pjesa tjetër është ajo që njihet si “aksioni për grumbullimin e armëve” në kohën e Rankoviqit. Eh, kur gjyshja flet për ketë nuk i mbanë dot lotët. Ushtria e pushtuesit kishte ardhur dhe e kishte rrahur gjyshin gjersa e kishte mbuluar gjaku, para syve të fëmijëve e para gruas. Gjyshja tregon se u detyruan të shesin diçka nga gjërat e pakta që kishin, për të blerë një armë që mos t’i vrisnin duke i rrahur e akuzuar së nuk dorëzonin armën (të cilën nuk e kishin).

Por, ata as këtë herë nuk kishin ikur. Kishin jetuar në një gjendje të vështirë ekonomike, e nuk kishin ikur. I kishin torturuar në mënyrat më çnjerëzore më qëllimin që t’i largojnë nga vendi, po nuk ishin ikur.


Kështu, si gjyshërit e mi duruan të gjithë. Ata e kishin dëshmuar se e donin këtë vend duke duruar edhe mjerim e vuajtje. Ata thellë në zemrat e tyre besonin që një ditë do të jenë të lirë. Këtë motiv e kishin.
Dhe, pas shumë e shumë kohësh, një ditë ëndrra për liri vërtetë u realizua.

Po, çka tani? Tash njerëzit po ikin; shtëpive po ua vënë çelësin. Sa e sa plane ishin bërë kur ne ishim të pushtuar nga Serbia, për ta zmbrapsur këtë Kosovë. Pikërisht sot, kur ato planë kanë pak gjasa të ndodhin nga shteti serb, po ndodhin nga faktorë të tjerë të brendshëm.

Ndoshta sot ne nuk po e duam Kosovën. Por jo, kjo nuk është e vërtet. Ne sot nuk po mundemi më. Durimi është zbehur dhe secili nga ne po duam të themi me zë të lartë: mjaft më.

Nuk e kemi një motiv. Si të ketë vëllai im motiv për të studiuar dhe përfunduar fakultetin kur unë diplomën e mbaj në dollap. Ai ka dëshirë të ikën si krejt tjerët.

Kosova po zbrazet, disa ditë më herët më qindra, këto ditët e fundit më mijëra brenda nate. Dikush vrau shpresat këtyre njerëzve. Vrasja e shpresës fillon nga lart, nga politikat që nuk sjellin zhvillim ekonomik, por që bëjnë të kundërtën. Kosova nuk po shkon përpara, ajo po kthehet me hapa prapa. Lufta për një vend pune po shtohet.

Shteti në kohën e sotme do të duhej që të nënkuptonte që qytetarët të kenë një jetë të mirë dhe të dinjitetshme. E, shteti ynë nuk i ofron as kushte elementare. Dikur kur iknin thoshin: “mirupafshim në Kosovën e lire”, e sot “mos t’i pafsha sytë Kosovë”.

Bashkëpunëtorë në vrasjen e shpresës, më saktësisht në ndaljen e frymës së fundit të saj, ishin edhe miqtë tanë, shtetet që dikur na zgjatën dorën e shpëtimit. Ata sot nuk po arrijnë që ta zvogëlojnë krimin dhe korrupsionin, e në raste të caktuara po dalin të jenë edhe bashkëpunëtorë të kriminelëve dhe njerëzve të korruptuar.

Kosova e ka dhe një betejë ta ngjallë: Shpresën. E vetmja gjë që mund të bëj unë si e re e Kosovës është t’i premtoj asaj që do ta dua dhe se nuk do të bëj asnjë gjë që e dëmton atë.