Site icon Telegrafi

Në Mitrovicë mbahet akademi përkujtimore kushtuar akademikut, Minir Dushi

Sot në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar akademikut, Minir Dushi.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve, familjarë, miq e shokë të akademikut, Dushi.

Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, ka thënë se akademik Dushi e mbylli jetën, por la hapur librat e tij për gjeneratat e reja, shkruan Telegrafi.

“Kontributi i tij është i gjithanshëm, prandaj ai nderohet prej të gjithëve, si prej studentëve, minatorëve, profesorëve, miqve, shokëve e kolegëve. Ai nderohet meqë na ka bërë nder të gjithëve me punën e tij dhe arritjet e tij”, ka thënë ajo.

“Ajo theksoi se jeta akademike në Mitrovicë është e ndërlidhur ngushtë me emrin e akademikut, Dushi. “Ai ka qenë njeriu kryesor që ka bartur barrën dhe përgjegjësinë e themelimit të Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961, duke mbajtur edhe pozitën e drejtorit që në fillim.  Ai ka dhënë kontribut të madh për themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë, duke qenë edhe dekani i parë. Ai gjithashtu ka qenë inxhinieri i parë shqiptar që ka punuar në minierën ‘Trepça’. Pra ai ka qenë i pari dhe i tillë do të mbetet në kujtesën tonë dhe në historikun e institucioneve tona”, thuhet në njoftim.

Për jetën dhe veprën e akademik Dushit kanë folur edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, akademik, Fejzullah Krasniqi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Profesori Bajram Mustafa e ka lexuar biografinë e akademikut Dushi, ndërsa në vazhdim kanë folur edhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Festim Kutllovci dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzaj.

“Në vazhdim është shfaqur një materiali i shkurtër filmik përmbledhur nga intervistat dhe fjalimet e akademikut, Minir Dushi, dhënë me rastin e 10 -vjetorit të Universitetit ‘Isa Boletini’, ku u nderua me titullin ‘Docotor Honoris Causa’, kurse në fund në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar, Baton Dushi, djali i akademikut”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version