Fatmir Fejziu
Dita e mësimdhënësit është një ditë dhe përjetim i veçantë, që na shërben për të reflektuar për kontributin e madh që dhanë atdhetarët dhe veprimtarët e shquar për kombin, me hapjen e shkollës së parë shqipe dhe frymën e re për rilindje të kombit, që është dëshmuar me dëshirën dhe vullnetin e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.
Kjo frymë ka vazhduar të na përcjellë edhe në periudhat tjera të mëvonshme dhe të rëndësishme për kombin tonë. Kujtojmë sakrificën e mësimdhënësve, të cilët pranuan të punonin edhe pa pagesë; kohën kur mësonim në shtëpitë shkolla. Ishte pikërisht kjo frymë e njëjtë: kishte dëshirë dhe vullnet për të mos pranuar diçka të huaj, diçka që na bënte dëm dhe vinte të ardhmen tonë në rrezik.
Ndërsa sot, pas shumë sakrificash, frymojmë të lirë, punojmë të lirë, por na duhet të jemi më të përgjegjshëm, pavarësisht vështirësive, sepse ka hapësirë dhe mundësi të punohet më shumë.
Fjalët nxënës dhe mësimdhënës kanë vlerë të shenjtë kuptimore dhe orientuese; të nxësh në jetë, të dish çfarë të nxësh, të fitosh edukim, dije dhe ato të të shërbejnë në jetë. Dhe, kush është përgjegjës për të kryer një mision të tillë? Kush na beson dhuratën më të çmueshme në jetë? Kush na i beson fëmijët?
Janë prindërit ata që na besojnë fëmijën; jemi ne që i besojmë njëri-tjetrit për fëmijët tanë.
Abraham Lincolni nuk kërkoi asgjë më shumë për fëmijën e tij, pos atë që ne duhet të bëjmë për të gjithë fëmijët: të hapim horizonte të reja; të hapim dyert e dijes dhe edukimit; të bëjmë atë që secili prind e do për fëmijën e tij dhe t’i përgatisim ata për sfidat e jetës; të jemi udhëzues të mirë dhe të drejtë; të ndërtojmë vlera njerëzore qa ata t’i zbatojnë në jetë; të jenë të ndershëm; të punojnë ndershëm dhe të japin kontribut për vendin e tyre.
Profesioni i mësimdhënësit është mision i vështirë që do përkushtim, dashuri, kreativitet e çiltërsi. Të qënët mësues është profesion që jep kënaqësi dhe kënaqësinë më të madhe e ndjen kur përcjell gjenerata të cilët nuk të harrojnë, të kujtojnë, janë falënderues dhe të japin dhuratën më të çmueshme: suksesin e tyre në jetë dhe në profesionet e tyre të ardhshme.
Vlera e mësimdhënësit është e lartë dhe duhet të lartësohet. Në Japoni i përulen më së shumti mësuesit – mësuesit të vërtetë që e bën punën me përkushtim, me përgjegjësi. Prandaj, qëllimi i mësimdhënësit dhe i mësimdhënies duhet të jetë zhvillimi dhe nxjerrja në pah e gjithë potencialit të nxënësve në bazë të aftësive psikofizike e jo ndëshkimi me notë, fajësim e etiketim për mossuksesin e tyre. Fëmijët janë minierë e paeksploruar nga të cilët mund të nxjerrim thesare të pafundme e të vlefshme të dijes.
Kjo ditë shënjuese duhet të na shërbejë si shenjë për të reflektuar e për të ndryshuar gjendjen e arsimit në Kosovë; për ta përmirësuar cilësinë me kuadro cilësorë, me nxënës mendimtarë e kreativë dhe me shkolla bashkëkohore moderne që i plotësojnë kriteret për t’u zhvilluar në hap me kohën.