Numri i lejeve për ndërtim banesash në Gjermani u rrit me 8.4% në 309 mijë në 2015-ën, që është dhe shifra më e lartë në 15 vite, tregon Zyra Federale e Statistikave.
Nxitja e sektorit të ndërtimit në ekonominë më të madhe të Europës vjen në një kohë që kostot rekord të ulëta të huamarrjes inkurajojnë shumë gjermanë që të lënë pas traditën e tyre për mosblerjen e banesave, e madje disa e shohin pronën si investim tërheqës. Rritja e shpenzimeve shtetërore (G) mbi refugjatët dhe incentivat tatimore për investitorët që ndërtojnë banesa në zonat urbane, pritet t’i japin sektorit të ndërtimit një nxitje.
Në 2015-ën, autoritetet kanë lëshuar leje për rreth 268 mijë ndërtesa të reja banimi dhe kanë miratuar restaurimin e 41 mijë ndërtesave ekzistuese, tregon zyra e Statistikave. Numri total prej 309 mijë është më i larti që prej vitit 2000. “Shifrat e sotme tregojnë se tendenca pozitive do të vazhdojë. Aktiviteti i ndërtimit po shkon në kahun e duhur”, thotë ministrja e Ndërtimit, Barbara Hendricks.
Megjithatë ministrja shton se familjet me të ardhura të ulëta kanë ende vështirësi në gjetjen e banesave të përballueshme financiarisht. “Fluksi i fuqishëm i emigrantëve po rrit kërkesën për strehim. Ne na duhen të paktën 350 mijë shtëpi të reja çdo vit,” thotë ministrja. Më shumë se 1 milionë emigrantë kanë hyrë në Gjermani vitin e kaluar, në kërkim të paqes që u mungon në vendet e tyre si Siria. E ndërsa këta flenë ende në strehime të improvizuara, shqetësimet mbi akomodimin e tyre po rriten.
Edhe përpara rritjes së numrit të refugjatëve në verën e kaluar, ekzistonte një mungesë prej 800 mijë banesash me kosto të ulët në zonat urbane. Ndërkohë që kërkesa tejkalon ofertën, çmimet për prona dhe qera janë rritur në qytete si Berlini, Hamburgu dhe Mynihu. Ndërtimi përbën rreth 4% të Produktit të Brendshëm Bruto të Gjermanisë dhe ndërkohë që 2.5 milionë njerëz punojnë në më shumë se 300 mijë kompani të sektorit, është edhe një punëdhënës gjigant./Telegrafi/