Ndërhyn UEFA, Shqipëri-Serbi luhet në “Elbasan Arena”

Ndeshja Shqipëri-Serbi e parashikuar të luhej në Shkodër në stadiumin e ri që po ndërtohet, do të zhvendoset në “Elbasan Arena” dhe kjo për kërkesë të dhënë nga UEFA.
Siç bëri të ditur FSHF, Uefa ka kërkuar që një ndeshje që paraqet rrezikshmëri të lartë si ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë, kjo duke u nisur nga incidentet që ndodhën në Beograd në sfidën e parë, të mos luhet në një stadium të ri siç do ishte ai i Shkodrës për faktin se një impiant i ri i pa testuar më parë me ndeshje të tilla nuk mund të garantojë sigurinë e duhur.
Por meqenëse në “Elbasan Arena” janë luajtur dy ndeshje të nivelit të lartë si ajo me Danimarkën dhe ajo me Francën, UEFA ka udhëzuar FSHF-në që ndeshjen me Serbinë si pritëse ta luajë pikërisht në qytetin e Elbasanit.
Ndryshimi i vetëm që përbën ky zhvillim është se në “Elbasan Arena” do të ketë më pak tifozë të pranishëm pasi kapaciteti i saj është 12.800 ndërsa ai i Shkodrës pritej të kishte më shumë deri në 18 mijë tifozë. Por kjo nuk do të ndryshojë asgjë, sepse Shqipëria do të japë maksimumin në fushë, si në Elbasan apo në Shkodër, pasi luhet kualifikimi në Euro 2016.






















































