LAJMI I FUNDIT:

Ndahet nga jeta Jamambër Marko

Ndahet nga jeta Jamambër Marko

Kur iki nuk kthehem më, kjo është fjalia e fundit që tha Jamarbër Markoja (1951-2010), biri i shkrimtarit Petro Marko, mesnatën e së shtunës, pak para se ora të lajmëronte fillimin e ditës së re. E motra, Arianita, e kish pyetur sesi donte që ta titullonte vëllimin tjetër me poezi të pabotuara, që ajo i ruan në disa blloqe. Pasi iu përgjigj, mbylli sytë dhe i dha fund lëngatës 4 mujore në apartamentin që ndodhet në bulevardin "Zogu I", aty ku kanë jetuar gjithë jetën Markot. Muret e dhomës së vogël ku ai rrinte, lexonte, shkruante, vuante, janë plot me objekte. Shihet aty korniza e vogël që mban një pikturë të Rilindjes, trofeu në qeramikë i Çmimit të Letërsisë (1995), një flamur me stemën e Juventusit, një fotografi me fëmijë.

Kjo është ajo botë e bukur e Mados, që rri kundruall me atë të vuajtjes. Gruaja që i ka shërbyer 9 muajt e fundit, tregon se ai dje ka kërkuar të dalë në dritare, të shoh atë copëz botë që gjallon në rrugicën e "Dervish Hatixhesë". Të dyja gratë, ajo bashkë me Arianitën, nuk arritën t’ia plotësonin këtë dëshirë. Cirroza në mëlçi e kishte rënduar shumë kohët e fundit, aq sa i mori jetën në moshën 59-vjeçare. Safoja 85-vjeçare, e ëma, hahet prej kohësh me sëmundjen e Alzheimerit dhe nuk e di që i biri po largohet përgjithmonë prej saj. Arianita ka vendosur ta durojë vetëm edhe këtë shuplakë të rëndë të fatit. Ka preferuar që në këtë "shfaqje të fundit" të jetë me rrethin e ngushtë të të afërmve dhe fqinjëve, që kanë qenë përherë aty.

Komshinjtë kujtojnë çdo detaj të jetës së Mados, çapkënllëqet në vogëli, rezultatet e shkëlqyera në shkollën e mesme, pasionin për gazetarinë gjatë studimeve të larta (që i përfundoi më 1974). Më tej filli këputet. Çehrja u ndryshon dhe sikur bezdisen të flasin. Në moshën 24-vjeçare Jamarbër Markoja u dënua me 7 vite burg nga regjimi i Hoxhës, për "propagandë antikomuniste". Arianita tregon se jeta në Spaç i shkatërroi jetën. Asaj I godasin si çomangë në kokë fjalët e fundit në agoni të të vëllait: "Shkuan ta arrestonin, po ai pati fat, kishte vdekur". Tani ajo po i merr vesh kuptimin.
Veç historive të bukura që u thoshte miqve të tij, kur pinin nga një gotë te bari i qoshes në rrugën "Fortuzi", Madoja kishte qindra të tjera të trishta për kohën e burgut. Ata i tregonte me ironi që ther në shpirt.


Fqinjët kishin qejf ta kishin pranë këtë njeri "që siç prodhon toka bimën, i prodhonte truri poezitë", "që thoshte fjalë magjike", "që i jepte mend të gjithëve". Mirë fqinjët, po të tjerët, ku ishin dje? Ku janë bashkëkohësit, njerëzit dhe përfaqësuesit e institucioneve të kulturës? Ata që e marrin vesh rastësisht, mbeten të çuditur që Madoja nuk është më.
Ka prej tyre që nuk ngurrojnë të thonë dy fjalët për krijimtarinë e tij pas 90-ës, duke iu referuar dy veprave: "Rastësisht me dashje" (1995) dhe "Pro Nobis" (2001). Ka të tjerë bashkëkohës që nuk i njohin veprat. Shkrimtari Agron Tufa, e shpjegon përse-në.

"Nuk ka lakmuar as lavdi, as vend në poezinë shqipe. Prandaj dhe mbeti fare pak i njohur, sikundër edhe shkalla karakteristike e indiferencës së kritikës sonë letrare jofunksionale. Mbetet një autor jashtë referencial, i papërsëritshëm në zërin e vet dhe i pakrahasueshëm".

Për poetin Arjan Leka "Maduja shkruante i shkëputur nga ritmi i botimit dhe lexuesit të tij".

Një tjetër njeri i letrave, romancieri Zija Çela e vlerëson poezinë e Mados për sinqeritetin. "Jamarbëri nuk shkruante arsyeshëm, nuk shkruante pse poeti duhet të shkruajë, ai derdhte në letër klithmat e veta", shprehet Çela.

Për këta njerëz, vetmia dhe jeta plot vuajtje e tij kanë lindur poezinë. Ai thjesht i hapte udhën dhe i zbrazte në letër.

Të gjithë janë në një mendje, që vlera më e madhe e Markos së ri, si poet, është fakti se ai nuk derdhi helm në poezinë e tij, e la atë të bukur e të pastër. Kur e pyesim Tufën se çfarë tiparesh e bëjnë krijimtarinë e Mados të qëndrojë veçmas në poezinë e pas 90-ës, ai përgjigjet: "Drama e qetë meditative, puna e tendosur e mendimit, metafora asketike. E përsëris në formë tjetër: ai është një shpend krejt i pangjashëm në peizazhin e poezisë shqipe".

Nuk mund të rrihet gojëkyçur përpara vlerësimit që merr shkrimtari dhe artisti shqiptar si në të gjallë të vet, por edhe kur largohet nga jeta. "Ata nuk e njohin një kafe njerëzore në shtëpinë e shkrimtarit të vdekur", thotë Zija Çela për politikanët dhe qeveritarët dhe për qëndrimet e ftohta që jo rrallë mbahen në kësi rastesh. /Shekulli/

Në trend Kultura

Më shumë
I kanë thënë të mençurit...

I kanë thënë të mençurit...

Kulture
FJALË DASHURIE

FJALË DASHURIE

Fjala+
KUR U FUTA

KUR U FUTA

Poezi
PUTHJA

PUTHJA

Poezi
Të gjithë janë krijues

Të gjithë janë krijues

Kulture
KTHIM NË SHTËPI

KTHIM NË SHTËPI

Fjala+
Kalo në kategori