Atmosfera festiva në Tiranë ka disa ditë që ka nisur të ndjehet përmes zbukurimeve në rrugë dhe dritave që kanë filluar të vendosen nga bashkia në disa pika kryesore të kryeqytetit.
Festa e Flamurit pasohet nga “Nata e Bardhë”, e shndërruar në një traditë tashmë, ku Tirana mirëpret edhe shumë vizitorë.
Në Pop Culture, Erion Veliaj, përveçse paralajmëroi një natë të paharrueshme festive, u ndal edhe tek të mirat që sjell gjallëria e natës në ekonominë e qytetit.
“Nata e Bardhë është një traditë tashmë. Ne kemi një kryetar bashkie të natës dhe për qytetet e mëdha jeta e natës është ekonomi, që punëson njerëz dhe pasja e një kryetari bashkie të jetës së natës për ta inkurajuar këtë besoj se është mirë. Fakti që Tirana sot vlerësohet si një ndër qytetet më “cool” është meritë edhe e këtij marketingu për jetën e natës”, u shpreh ai.
“Nesër do të kemi Emeli Sande dhe jemi munduar të organizojmë një koncert falas, pra që të mos ketë kosto për qytetarët, por me sponsorë. Dëgjova që do na vijnë të rinj jo vetëm nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe nga Greqia e Serbi. Kjo është gjë e mirë për qytetin sepse e sjell në hartë edhe në këtë lloj fushe. Nis darka me Emeli Sande dhe pastaj besoj që të gjitha lokalet e tiranës do të kenë aktivitetet e tyre për Natën e Bardhë”, vijoi Veliaj.
Kryebashkiaku ka edhe një këshillë për “lakmitarët” e alkoolit.
“Ta konsumojmë në mënyrë të përgjegjshme. Nëse e keni tepruar mos merrni makinat. Shkoni me taksi, ose në këmbë. Unë besoj që do të kalojmë një natë pa incidente”, deklaroi Veliaj. /TCH/