LAJMI I FUNDIT:

Naftarët: MTI-ja po krijon monopol me naftën

Naftarët: MTI-ja po krijon monopol me naftën

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës vlerëson se projektligji për tregti me naftë dhe produkte të naftës në Kosovë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), po tenton të krijoj monopol në favor të kompanive të cilat posedojnë rezervuare me 950.000 litra derivate. Sipas tyre, problemi qëndron se kompanitë me mundësi të tilla janë shumë pak.

Kryetari i grupit punues pranë shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani tha për Telegrafin, se në vend që të investohet në fabrika prodhuese, MTI-ja sipas tij, po i detyron të investojnë miliona euro në rezervuare – deponi.

“Më tepër se 80 për qind, e bizneseve që merremi me këtë veprimtari, kemi kërkuar nga MTI-ja, që të mos ketë monopol në licenca të importit dhe kompanitë të mos kushtëzohen me sasinë e derivateve në rezervuar. Është e pa nevojshme mbajtja e gjithë asaj sasie të naftës në rezervuar, përderisa largësia që e kemi me vendet fqinjë si Maqedonia – më pak se 100 km, Shqipëria ose Greqia – më pak se 200 km, vende ku ne furnizohemi me derivate të naftës”, tha ai.


Berjani ka shtuar se forma aktuale e projektligjit për tregti me naftë dhe produkte të naftës është në kundërshtim me standardet e BE-së dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Shoqata e Naftarëve sipas tij, kërkon që neni 5 pika 7, e ligjit për licenca të plotësohet. “Kërkojmë që neni 17 pika 1.6, të fshihet i tëri për arsye se krijon shpenzime të pa nevojshme dhe ndikon në ngritjen e kostos së shitjes. Krijon mundësi të manipulimit dhe krijon tollovi në komunikacion”.

Ai tha se edhe neni 13 pika 4, e projektligjit po tentohet të manipulohet, ku parashihet që të ndahen Rezervat : në Rezerva të Obligueshme dhe të Deleguara. “Me Rezerva të deleguara tentohet që në një formë të ruhen jashtë shtetit, dhe atë në formën e kontraktuar që do të thotë – të kemi rezerva të siguruara me mjete por jo fizikisht, dhe atë aq më tepër në një shtet të jashtëm. Kërkojmë që neni 17 pika 1.7, të fshihet i tëri për arsye se e para krijon shpenzime të pa nevojshme, ndikon në ngritjen e kostos së shitjes, krijon mundësi të manipulimit, krijon tollovi në komunikacion”, ka deklaruar Berjani.

Në anën tjetër, Bajram Shala, zyrtar komunikim në MTI, tha për Telegrafin se nëse vazhdohet të lejohet importi nga shitësit me pakicë, atëherë përdorimi i deponive do të vazhdojë të jetë në nivel të ulët. “Pronarët e deponive aktuale vetëm se do të vazhdojnë të paguajnë taksa dhe mirëmbajtje pa përfitime nga to apo nuk do të jenë të interesuar t’i mirëmbajnë aspak. Kur të fillohet me deponimin e rezervave obliguese të karburanteve të naftës, të cilat janë pronë e shtetit dhe të cilat do të ruhen me qira tek subjektet, karburantet do të kenë nevojë të qarkullojnë (ripërtërihen) në mënyrë që mos të vjetrohen”, tha Shala për Telegrafin.

Sipas tij, obligimi i përdorimit të deponive do të ndikojë në favor të sigurimit të cilësisë së karburanteve. “Nëse cilësia e ndonjë ngarkese që importohet do të jetë e dobët ajo do të dëmtojë cilësinë e tërë rezervuarit në deponi, i cili pastaj nëse zbulohet nga organet shtetërore dënimet janë shume të larta. Nëse për një pikë të shitjes inspektorati e zbulon se e ka kualitetin e dobët do të jetë gati e pamundur të bartet përgjegjësia tek importuesi, por përgjegjësia do të jetë vetëm te shitësi me pakicë, i cili ndoshta ka paguar për cilësi të mirë”, tha ai për Telegrafin.

Shala ka sqaruar se nga viti 2014 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të fillojnë, ta obligojnë përdorimin e një sasie të biokarburantëve në karburantet për transport. “Biokarburantet që do të prodhohen në vend, do të kenë nevojë të përzihen me karburantet e naftës. Për përzierjen e tyre nevojiten pajisje të cilat pikat e shitjes me pakicë nuk i kanë dhe mund t’i kenë vetëm depozitë. Momentalisht i kemi të licencuara 13 deponi. Pra nuk do të ketë monopol. Kapaciteti i tërësishëm i deponive në Kosovë nuk e mbulon as gjysmën e kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e obligimeve të direktivës që i ka Kosova”, thotë Shala për Telegrafin.

Me projektligjin për tregti me naftë dhe produkte të naftës parasheh që licencat aktuale të importit të vlejnë deri në skadimin e tyre. “Gjithashtu, përfaqësuesve të Shoqatës së Naftës, MTI-ja iu pati ofruar një periudhë afër 4 vjeçare prej kur do të hynte në fuqi kjo pikë e ligjit, por që nuk e kanë pranuar dhe kanë kërkuar së paku 5 vite”, tha Shala. /Telegrafi/