Kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë se me PDK-në po bëjnë përpjekje për konsensus brenda koalicionit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion.
Ai thotë se nuk mund të lejohet që tema kaq të rëndësishme për shtetin, integrimet euroatlantike dhe sovranitetin e subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit, që siç thotë ai, të keqpërdoren për përfitime elektorale.
Mustafa po ashtu thotë se po bëjnë përpjekje që për demarkacionin të krijojnë konsensus jo vetëm brenda koalicionit, por, siç thotë ai, në gjithë spektrin politik e qytetar.
“Ne po bëjmë përpjekje që për demarkacionin të krijojmë konsensus jo vetëm brenda koalicionit, por në gjithë spektrin politik e qytetar. Për këtë arsye kemi krijuar hapësirë të nevojshme për debat, ku ka ndihmuar shumë edhe qëndrimi i Departamentit të Shtetit, deklarata e presidentit Obama, qëndrimi i drejtuesve evropianë dhe krijimi i Komisionit të Ekspertëve Ndërkombëtarë nga ish-presidentja”, tha Mustafa në intervistën për gazetën Zëri.
Mustafa është i bindur se mosratifikimi i Demarkacionit në Kuvend rrezikon jo vetëm lëvizjen pa viza, por edhe proceset që lidhen me sovranitetin, transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.
Ai konsideron kauzë për përfitime elektorale qëndrimin e opozitës karshi kësaj çështjeje dhe thotë se opozita nuk po arrin të dëshmojë se kujt i humbën mbi 8000 hektarë tokë, ndërkohë që territori i Kosovës dhe i komunës së Pejës janë të plota, shkruan Zëri.