Site icon Telegrafi

Munishi: Hajvalia i dha leksion futbolli Gjilanit

Ani pse bënë investime të mëdha, skuadrës nuk paralagjia e Prishtinës nuk i eci asgjë derisa pas xhiros së dytë u largua trajneri Mentor Miftari, për t’u ulur në bankën rezervë, ‘timonieri’ i mirënjohur Ismet Munishi.

Trajneri i suksesshëm kosovar, i cili edhe më parë e ka drejtuar Hajvalinë, solli risi në ekip megjithatë, e nisi me humbje aventurën në Hajvali edhe pse skuadra e tij luajti mjaft mirë në Vushtrri (humbi 1:0). U desh të pritej xhiro e katërt që Munishi ta qetësonte klubin, lojtarët dhe tifozët me fitore, derisa misioni ishte i vështirë pasi që përballë e kishte liderin e Superligës, Gjilanin.

Hajvalia fitoi 2:0, madje e humbi edhe një penallti.

www.sportal.al e kontaktoi Munishin të cilin si fillim e pyeti se pse nuk dha deklaratë para ndeshjes. “Kryesia e Gjilanit e ka lëshuar një komunikatë shumë të ulët ku e ka ofenduar rëndë klubin e Hajvalisë dhe mua si trajner”, nis bisedën Ismet Munishi, për të vazhduar me deklaratën në lidhje me lojën ndaj Gjilanit, e cila solli katër kartonë të kuq, tre për gjilanasit dhe një për hajvaliasit.

“Ata (Gjilani) kishin ardhur të motivuar për shkak të deklaratës time ku pata thënë se Gjilani do t’i lajë gjynahet dhe loja u tensionua. Gjilanasit nuk e dinë se nuk ka forcë për të qëndruar në vendin e parë. Hajvalia i dha leksion futbolli, me lojë, me disiplinë. I kemi lodhur. O Zot i madh, sa i dua futbollistët e mi. Ka qenë një moment shumë i vështirë për ta, pasi që vinim nga një humbje pas një loje shumë të mirë në Vushtrri. Në momente të vështira tregohen lojtarët e mëdhenj. Ata janë kampion”, shtoi Ismet Munishi.

Para ndeshjes i motivoi ‘Meda’

Krahas Ismet Munishit, në zhveshtoret e Hajvalisë, disa fjalë për lojtarët para ndeshjes me Gjilanin, i pati edhe kryetari i klubit, Mehedin Përgjegjaj (Meda), i cili njëkohësisht është këngëtari mirënjohur i estradës. "Medën e falënderojë sepse i ka motivuar lojtarët me disa fjalë. Gjithsesi, ai po i motivon 7 milionë shqiptarë, nuk e ka të vështirë t’i motivojë edhe 11-futbollistë", pohoi Munishi.

Do të prejnë sërish ‘Kurban’

Për të shkuar punët sa më mirë në ekip, klubi i Hajvalisë, ditë më parë e sakrifikoi një ‘Kurban’. Sipas Munishit, Hajvalia nuk do të ndalet me këtë rit. "E kemi përgatit edhe një ‘Kurban’ me brirë rrokotelë".

Exit mobile version