Lideri i Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), Abdullah Ocalan, ka bërë thirrje për çarmatosjen e të gjitha grupeve të armatosura dhe ka theksuar se organizata ushtarake duhet të shpërbëhet.
“Zgjidhja është në dinamikat historike shoqërore. Kurdët dhe turqit duhet të rindërtojnë shpirtin e unitetit dhe vëllazërisë, të bazuar në aleancën e tyre shekullore”, tha Ocalan.
Deklaratën e shumëpritur e lexuan deputetët e Partisë së Lirisë dhe Demokracisë së Popullit (DEM), në një tubim të titulluar “Thirrje për paqe dhe shoqëri demokratike”, që u mbajt në hotelin Elite World në Stamboll.
Ocalan theksoi se PKK ka humbur kuptimin e ekzistencës së saj për shkak të faktorëve të brendshëm, dështimit të socializmit të vërtetë në vitet 1990, ndryshimeve në politikën e identitetit në Turqi dhe përparimit në lirinë e shprehjes.
Për këtë arsye, ai beson se ka ardhur koha për shpërbërjen e organizatës, shkruan euronews.
“PKK duhet të mbajë kongresin e saj për të marrë një vendim për çarmatosjen,” shtoi Öcalan.
Kjo thirrje mund të shënojë fundin e konfliktit që ka zgjatur më shumë se katër dekada dhe që ka marrë dhjetëra mijëra jetë.
Ocalan, i cili është 75 vjeç, ndodhet në burgun e ishullit Imrali që nga viti 1999, pasi u dënua për tradhti.
Pavarësisht izolimit të gjatë, ai ende ka një ndikim të fuqishëm në PKK, dhe analistët vlerësojnë se kreu i organizatës mund ta dëgjojë thirrjen e tij, megjithatë disa fraksione mund të ofrojnë rezistencë. /Telegrafi/